Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se nga dy emrat që po përmenden të marrin rolin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, ish-ministri i Finlandës Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, ky i fundit është më favorit.
Megjithatë, Palokaj ka sqaruar se Bashkimi Evropian nuk konfirmon asnjë prej emrave të propozuar pa u bërë zyrtar kush do të jetë pasues i Miroslav Lajçakut.
“Sa i përket konfirmimeve nuk ka dhe nuk do të ketë derisa të mos bëhet zyrtare kush do jetë pasardhës i Lajçakut. Pasi të bëhet zyrtare, do të ketë mundësi të shpallet edhe emri i tij. Në BE në procedura të tilla nuk tregojnë se kush ka kandiduar apo nuk ka kandidiuar. Burimet kanë thënë se për momentin dy kandidatë kanë qenë deri në momentin e fundit, që janë Peterson, diplomati danez, dhe ish-ministri i Finlandës Havisto. Disa qeveri kanë thënë se zyrtarisht nuk kanë kandiduar. Duket... përshtypja është që favorit do të jetë Sorensen, pasi përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas do ta udhëheqë dialogun në nivelin e lartë, sic e ka bërë para saj Borrelli. Është kërkuar që ai që do të jetë zëvendës i Lajçakut të jetë më shumë diplomat sesa politikan”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Palokaj ka shtuar se pritet trysni kohore pasi veçse ka kaluar java e parë e muajit kur Lajçakut i përfundon mandati dhe se do të jetë e vështirë të përfundojë e gjithë procedura që pasuesi i Lajçakut të jetë i gatshëm që më 1 shkurt ta nisë punën.
Ai ka theksuar se pavarësisht që publikisht në BE mund ta përgëzojnë Lajçakun për punën që ka bërë, privatisht kjo do të jetë ndryshe, pasi sipas tij, “shumë diplomatë të BE-së janë të zhgënjyer me progresin e procesit të dialogut”.
“Ajo çka Lajçak e lë si një patate të ngrohtë për pasardhësin është fati i Marrëveshjes së Brukselit të 2023, sepse aty kanë improvizuar në mënyrë të panevojshme dhe të pakuptime edhe Lajçak, edhe BE-ja, edhe vendet e QUINT-it. Marrëveshja nuk është nënshkruar dhe Serbia ka thënë se nuk e ka pranuar si të plotë. Duhet të dimë tani cili është fati i asaj marrëveshjeje. Është e paqartë nëse do insistohet të respektohet marrëveshja në tërësi nga të gjithë dhe cilat janë pasojat për moszbatim”, është shprehur ai.