Arbëri

“Pastrimi”: Vendimi për faturat i jashtëligjshëm, qytetarët pagesat t’i bëjnë ndaj kompanisë

Foto ilustrim

Kompania Rajonale e Mbeturinave "Pastrimi" e ka quajtur arbitrar dhe të paligjshëm vendimin e Komunës së Prishtinës që qytetarët të mos i paguajnë faturat e lëshuara nga kjo kompani dhe që pagesat për këtë shërbim t’i realizojnë përmes Komunës.

Ne reagimi thuhet se qytetarët duhet t’i vazhdojnë pagesat ndaj KRM "Pastrimi", ndërkohë që Komunës së Prishtinës i është bërë thirrje për tërheqje të njoftimit që ata e konsiderojnë të jashtëligjshëm.

“Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që të tërheqë menjëherë këtë njoftim të jashtëligjshëm, dhe nga organet kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar shkelje të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagim.

Sipas tyre njoftimi i Komunës është bërë pa asnjë bazë ligjore dhe bie në kundërshtim me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, e cila siç thuhet, është miratuar nga Kuvendi Komunal dhe aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Një vendim i paligjshëm që shkel institucionet dhe dëmton qytetarët. Ky veprim i Komunës së Prishtinës përbën një shkelje të rëndë ligjore, pasi nuk ekziston asnjë vendim nga ndonjë organ kompetent gjyqësor, si Gjykata Themelore apo Gjykata Kushtetuese, që do të pezullonte Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se me këtë njoftim është shpërfillur vendimi i Kuvendit të Prishtinës dhe është shkelur  miratimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila thuhet se ka dhënë dritën e gjelbër për këtë rregullore.

Në reagim thuhet se njoftimi krijon konfuzion dhe dëmton funksionimin e shërbimeve publike, duke ndikuar negativisht në cilësinë e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.

“Një veprim i tillë nuk ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve, por vetëm krijimin e një situate kaotike për të justifikuar dhënien e një tenderi 16 milionësh një kompanie private, në dëm të ndërmarrjes publike dhe interesit të qytetarëve”, thuhet në reagim.

Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që faturat të paguhen ndaj kompanisë. 

“Duke qenë se ky vendim nuk ka asnjë bazë ligjore dhe përbën një tejkalim të kompetencave nga Komuna e Prishtinës, ftojmë të gjithë qytetarët që: Të mos bien pre e këtij manipulimi dhe të vazhdojnë pagesat e tyre ndaj KRM "Pastrimi", siç është përcaktuar në rregulloren e miratuar ligjërisht. Të kërkojnë llogari nga institucionet përgjegjëse, duke mos lejuar që një shërbim i domosdoshëm si menaxhimi i mbeturinave të keqpërdoret për interesa të caktuara. Të jenë të vetëdijshëm se çdo vendim për ndryshim të pagesës së mbeturinave duhet të kalojë përmes institucioneve ligjore përkatëse, dhe jo përmes komunikimeve të paligjshme e të pavlefshme”, thuhet në reagim.

Tutje shtohet se KRM "Pastrimi" sh.a. do të vazhdojë të ofrojë shërbimin e mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave për qytetarët e Prishtinës, duke respektuar ligjet dhe vendimet institucionale.