Arbëri

“Pastrimi”: Pagesat bëhen te ne, Prokuroria ta hetojë Komunën e Prishtinës

Pastrimi

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorit të Shtetit dhe organeve hetimore për kërkesën e Komunës së Prishtinës që shërbimi për pastrim të paguhet në komunë dhe jo në ndërmarrje.

“Kërkojmë ndërhyrjen e Prokurorit të Shtetit dhe Organeve hetimore në veprimet e jashtëligjshme të Komunës së Prishtinës. KRM “Pastrimi” sh.a. shpreh shqetësimin e saj lidhur me veprimet e fundit të Komunës së Prishtinës të cilët në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë bazë ligjore, po njofton qytetarët që pagesat për shërbimet e pastrimit të bëhen në Komunë, dhe jo pranë ndërmarrjes sonë siç e përcakton qartë Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar nga vetë Kuvendi Komunal”, thuhet në reagimin e KRM “Pastrimit”.

“Pastrimi” e ka cilësuar kërkesën e Komunës në kundërshtim me rregulloren në fuqi dhe me kompetencat ligjore të ndërmarrjes.

Ndërmarrja ka shprehur dyshime se Komuna po tenton të hapë tenderë për kontrata me operatorë privatë në vlerë mbi 20 milionë euro. Sipas ndërmarrjes, këto tenderime do të jenë të jashtëligjshme.

“Përkundër përpjekjeve tona për të mbrojtur rendin institucional dhe për të bashkëpunuar, Komuna po vazhdon me vendime të njëanshme që rrezikojnë jo vetëm funksionimin financiar të ndërmarrjes, por edhe cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimeve cilësore, e mbi të gjitha po e dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarin. Për këtë arsye, i drejtohemi Prokurorit të Shtetit dhe insticioneve hetimore që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur këtë praktikë të paligjshme dhe për të rivendosur rendin ligjor dhe funksional në raportin mes Komunës dhe ndërmarrjes sonë. Sepse dyshimet janë që po tentohet të pamundësohet operimi i KRM “Pastrimi” Sh.A. dhe t’i hapet rruga tenderimeve për kontratat e jashtëligjshme me operator privat me vlerë mbi 20 milion euro”, thuhet në reagim.

Polemikat për bërllokun kanë marrë intensitet në fillim të shkurtit.

Komuna e Prishtinës pati paralajmëruar masa të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi” për atë që e ka kualifikuar si sabotim nga ndërmarrja, për të grumbulluar mbeturinat.

Më 5 shkurt, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi”, për muajin janar.

Në fund të dhjetorit, asambleja komunale me inicimin e PDK-së dhe me ndihmën e LVV-së, kanë votuar plotësimndryshimin për rregulloren e re për mbeturina.

ëpërmjet ndryshimeve, inkasimi i faturave për kryeqytetasit bëhet nga KRM “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës.

Edhe pse Ministria e Mjedisit e pati cilësuar rregulloren e ndryshuar në harmoni me ligjin për mbeturinat, në shenjë pakënaqësie ekzekutivi i komunës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin, por gjykata ende nuk ka marrë ndonjë vendim.

Pavarësisht kësaj, Komuna pati dalë me njoftim, në të cilin thuhet se qytetarët, tash faturat duhet t’i paguajnë në komunë e jo në KRM “Pastrimi”.