Sindikata nuk i ka dhënë zyrtarisht fund grevës së ndërprerë përkohësisht e nuk dihet nëse Ligji për pagat do të fuqizohet deri në janar, por ditët e para pas festës së vitit të ri kalendarik mund të mbesin në hije të kthimit të grevave. “Duhet të bëhen hulumtime në Kosovë për me i pa këto pasoja, kemi raste të ndryshme, të vendeve të ndryshme, të cilat flasin për pasoja për moshën 30 ose 40-vjeçare, ku ka greva të shpeshta dhe afatgjata e këto pasoja variojnë në disa aspekte”, thekson Agon Ahmeti, njohës i arsimit
1 shtatori gjithnjë ka qenë festë. Por sivjet festa është prishur pa filluar fare.
Ndryshe prej viteve të kaluara, nxënësit e klasave të para, sivjet A-në kanë nisur ta mësojnë në tetor. Dhe tani ende pa nisur mirë mësimi ka filluar debati se kur duhet të përfundojë.
Mësimi nisi me 22 ditë mësim të humbur për shkak të grevës që në fund nuk realizoi qëllimin e shpalljes së saj në fillim. Tani Ministria e Arsimit, Sindikata e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve nuk po ia dalin të gjejnë gjuhë të përbashkët për kapërcimin e mospajtimeve lidhur me kompensimin e orëve të humbura mësimore.
“Dëshpërimi i madh”
Dhe në debatin për sfidat në arsimin e Kosovës, shpesh me akuza e kundërakuza të rënda ndërmjet palëve përgjegjëse për arsimin e fëmijët, nxënësit kundër vullnetit të tyre janë kthyer në instrument për hesape të ndryshme, pjesërisht edhe politike.
“Në momentin kur erdhi shtatori dhe s’ka zile, ka qenë një dëshpërim i madh i fëmijëve, kuptohet edhe i prindërve, si ndaj nesh, si ndaj institucioneve, por nuk kemi besuar që do të zgjasë kaq shumë. Kjo ka qenë e para”, thekson Visar Morina, drejtor i shkollës fillore të mesme dhe të ulët, “Emin Duraku” në Prishtinë. “Edhe kompensimi i orëve nuk e ka atë sikur orët e rregullta”.
Gjatë gjithë vitit Sindikata e Arsimit u kërcënua me greva, por vetëm në fund të gushtit u mor vendimi për të mos nisur viti i ri shkollor pa iu plotësuar kërkesa për ngritje pagash.
Agron Ahmeti, drejtor i organizatës joqeveritare ETEA, thotë se fëmijët u përdorën si instrument për arritjen e qëllimeve. Ka theksuar se Sindikata nuk shteroi të gjitha mundësitë para se të shkonte te masa radikale e mosmbajtjes së mësimit.
“Fatkeqësia është fakti se në Kosovë shumë shpejt po vijmë te ky vendim i skajshëm, që pastaj po shkakton shkelje të të drejtave, në këtë rast, të fëmijëve, siç është e drejta bazike për arsim”, thekson Ahmeti.
“Nxënësit kurban”
Fëmijët i ndiejnë më fort se kushdo pasojat e polarizimit të palëve hisedare.
Ditjon Fetahu, kryetar i Këshillit të Nxënësve të Kosovës, thotë se vera ka qenë tepër pasive dhe se nuk rezultoi me aksione që do të ndikonin në përpjekjen për shmangien e grevës. Ai thotë se nxënësit e kanë bartur barrën më të rëndë për shkak të përplasjeve të institucioneve përgjegjëse.
“Në anën tjetër, nxënësit do të duhej të ishin fokusi i edukimit pasi janë targeti kryesor i tij dhe në fund të ditës do të duhej që të gjithë akterët e tjerë të përdorin secilën formë tjetër të mundshme që nuk e bën nxënësin kurban”, thekson Fetahu.
Prindërit e nxënësit shpresuan kot se shpejt do të kishte marrëveshje ndërmjet sindikalistëve dhe Qeverisë që nxënësit t’u ktheheshin bankave në fillimshtator.
“Tek nxënësit ka pasur ndikim jo të mirë, sepse nxënësit do ditë janë zgjuar me dëshirën dhe me idenë që të fillojë shkolla dhe pasi që ishte vendim se nuk dihej kur do të fillojë, do ditë zgjoheshin me dëshirën se kur do të shkojnë në shkollë”, thekson Naxhije Fejzullahu, mësuese në shkollën “Emin Duraku”.
Ahmeti thotë se nuk u mor parasysh as ndikimi i mosfillimit me kohë të vitit të ri shkollor në mesin e nxënësve të klasave të para. “Përveç të tjerash, e kanë ditën e parë të shkollës dhe ka edhe disa aspekte simbolike për familjen, por edhe për vetë fëmijët që ndoshta e presin me shumë emocion atë ditë”, thekson Ahmeti, njohës i arsimit nga ETEA.
Edhe ka mësim, edhe s’ka mësim
Morina, drejtori i “Emin Durakut”, ka mbështetur vendimin e Sindikatës, por personalisht mendon se është dashur të shteroheshin mundësitë e tjera që fëmijët të mos prekeshin nga vendimet sindikale.
Ministria e Arsimit ngulmon në të sajën që zëvendësimi i orëve të humbura sherri i grevës të bëhet gjatë të shtunave, por Sindikata e Arsimit dhe prindërit kundërshtojnë vendimin që mësimi të mbahet fundjavave. Në shumicën e shkollave nuk është mbajtur mësimi normalisht gjatë të shtunës së kaluar. Në shumicën e shkollave mësimdhënësit po dalin në punë, por tepër i ulët është numri i prindërve që po i dërgojnë fëmijët në shkollë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dalë me propozimin që orët e humbura të kompensohen me mbajtjen e orëve shtesë gjatë ditëve të punës, me mundësi të shtyrjes së përfundimit të vitit shkollor në verë. Në shkollën “Emin Duraku” janë për kompensim të orëve gjatë pesë ditëve të punës.
Debati i vazhdueshëm për zëvendësimin e orëve e paralajmërimi se mësimdhënësit përsëri mund t’u kthehen grevave në janar ndikon në mesin e nxënësve.
“Po besoj se me një mirëkuptim, me një marrëveshje, të evitohen grevat e tjera dhe të mos kemi më probleme si kemi filluar vitin me shumë telashe’ , thekson Morina.
Pasojat afatgjata
Edhe mësuesja Naxhije Fejzullahu shpreson se nuk do të ketë më greva për shkak se do të ndikonin negativisht në mesin e fëmijëve.
“Ne urojmë që të mos ketë ndalesa dhe që të gjendet një zgjidhje ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut dhe po urojmë që të mos ketë asnjë pengesë edhe sado të vogël, sepse nuk ka rezultuar pozitivisht as te cilësia te nxënësit, por as tek ne mësimdhënësit”, thekson ajo.
Ahmeti thotë se studimet tregojnë për pasojat afatgjata të grevave e procesit të parregullt mësimor te nxënësit.
“Duhet të bëhen hulumtime në Kosovë për me i pa këto pasoja, kemi raste të ndryshme, të vendeve të ndryshme, të cilat flasin për pasoja për moshën 30 ose 40-vjeçare, ku ka greva të shpeshta dhe afatgjata e këto pasoja variojnë në disa aspekte, ku nxënësit të cilët kanë qenë pjesë e sistemeve ku ka pasur greva të shpeshta, sot kanë probleme, qoftë me gjetjen e një pune të përshtatshme, qoftë në avancim, ose ndjekjen e studimeve të larta dhe me paga më të ulëta krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre që kanë ndjekur mësim pa pengesa e ndalesa në mësim”, thekson Ahmeti.
Por derisa Sindikata nuk i ka dhënë zyrtarisht fund grevës së ndërprerë përkohësisht e nuk dihet nëse Ligji për pagat do të fuqizohet deri në janar, ditët e para pas festës së vitit të ri kalendarik mund të mbesin në hije të kthimit të grevave. Fëmijët përsëri, kundër vullnetit të tyre, mund të kthehen në instrumente të kërkesave e mospajtimeve të Sindikatës dhe Qeverisë.