Arbëri

Pas votimit të suksesshëm në Asamble, Kosova pret që ta avancojë raportin me NATO-n

Pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare, në të cilën Kuvendit të Kosovës iu ngrit niveli i përfaqësimit, zyrtarë qeveritarë presin avancim edhe në raport me anëtarësimin e plotë në organizatën në të fuqishme politiko-ushtarake në botë. Por në NATO thonë se vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në respekt të plotë të mandatit fillestar për emergjenca civile

Kosova mori mbështetje të fuqishme këtë muaj në kërkesën për avancimin e statusit në Aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake në botë. Nga 27 maji, Kuvendi i Kosovës u bë anëtar i asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ani se Asambleja vepron institucionalisht e ndarë dhe e pavarur nga NATO-ja, ngritja e nivelit të përfaqësimit u konsiderua e rëndësishme për proceset e tjera integruese.

Asambleja është forum i deputetëve të 32 vendeve anëtare dhe shteteve të tjera partnere të NATO-s. Por deri tash ka munguar avancimi i raportit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, më se gjashtë vjet që pas miratimit të pakos së ligjeve për shndërrimin e FSK-së, nga një mandat për mbrojtje civile e reagim emergjent, në forcë mbrojtëse.  

Në NATO deklaruan se mbështetja për FSK-në vazhdon sipas mandatit të vjetër, tek përmendën edhe ndalesën kur bëhet fjalë për zbarkimin e saj në veri.

“NATO-ja vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s, në respekt të plotë të mandatit fillestar për emergjenca civile të FSK-së. Ky është qëndrimi ynë dhe ka qenë konsistent gjatë gjithë kohës. FSK-ja mund të vendoset në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Ne mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të Kosovës lidhur me këtë angazhim”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes, shprehu pritjen që qëndrimi i NATO-s në raport me FSK-në të ndryshojë së shpejti.

“Planifikimin e bëjmë sipas standardeve të NATO, pajisjet dhe armatimin e blejmë nga vendet e NATO-s për dallim nga Republika e Serbisë që furnizohet nga vendet e Lindjes, që kryesisht janë Federata Ruse, Kina dhe Irani. Pra, rruga jonë është shumë e qartë drejt integrimit në NATO dhe ne jemi të vendosur në këtë aspekt. Për pranimin e Kosovës në NATO normalisht ka edhe procese të tjera që janë politike. Dihet edhe hezitimi i vendeve mosnjohëse për të mbështetur procesin e integrimit të Kosovës në NATO”, ka thënë Maqedonci.

E Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në QKSS, vlerëson se në aspektin e kritereve teknike dhe të përgatitjeve, Kosova qëndron më mirë se disa vende që tashmë janë pjesë e Aleancës, por problemin e kualifikon si të natyrës politike.

“Problemi kryesor pse Kosova nuk është pjesë e NATO-s ka të bëjë me atë politik, pasi janë katër shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Ky problem mund të tejkalohet nëse shtetet kryesore të NATO-së do të rrisin presionin për shkak se është interes i përbashkët që kontinenti i Evropës të mos ketë konflikte të tjera dhe lufta në Ukrainë të përmbyllet sa më parë”, ka deklaruar Vrajolli.

Marrëdhënia e Kosovës me këtë Aleancë vitet e fundit është dominuar nga menaxhimi i krizës në veri.

Në NATO thanë se me gjithë investimin 25-vjeçar, më 2023 pati hapa të gabuar, duke iu referuar tensioneve, dhunës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmit terrorist në Banjskë vitin e kaluar.

“NATO-ja ka investuar në Kosovë për 25 vjet. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, por vitin e kaluar ne kemi parë hapa në drejtimin e gabuar, me tensione të shtuara, dhunë dhe retorikë përçarëse në rajon. Si përgjigje, ne kemi bërë përforcimin më të madh të KFOR-it në një dekadë duke vendosur gati 1.000 trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Dënojmë ashpër dhunën e 29 majit dhe 24 shtatorit, dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Duhet të shmangen veprimet dhe retorika që mund të përshkallëzojnë më tej situatën”, ka thënë NATO-ja.

Veç kërkesës që NATO-ja ta shtojë fokusin në mbrojtjen e kufijve të Kosovës, prioritet për Qeverinë e Kosovës është forcimi i kapaciteteve vetjake. Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar.