Arbëri

Pas sulmit të fundit në “Ibër-Lepenc” kërkohet ndryshimi i qasjes në dialog

Mungesa e rezultateve në dialog ka ndikuar në tensionimin e situatës në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, gjë që po dëshmohet edhe me shpeshtimin e sulmeve në veriun e populluar kryesisht me serbë, vlerësojnë analistët. Sipas tyre, lidershipi i ri në Bashkimin Evropian duhet të angazhohet më intesivisht në arritjen e rezultateve konkrete në dialog

Ndryshimi i qasjes në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet i domosdoshëm, në funksion të shmangies së sulmeve sikurse ai i së premtes mbrëma në rrjedhën e kanalit “Ibër- Lepenc”.

Derisa në zyrën e ndërmjetësit të dialogut nuk kanë treguar si do ta menaxhojnë këtë zhvillim të ri pasi Kosova akuzoi Serbinë se është e përfshirë në sulm, analistët thonë se u dëshmua edhe një herë potenciali që ekziston në destabilizimin e rajonit.

“Natyrisht dihet se problemet kryesore që janë shfaqur në Kosovë janë në pjesën veriore, siç e pamë edhe në sulmet e fundit terroriste nga Serbia në Kosovë, që përbëjnë një lloj potenciali për destabilizim në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht gatishmëria e lidershipit të ri është që të ofrojë mbështetje për zgjidhjen e këtij problemi dhe sigurisht kanë për të kërkuar edhe rezultate konkrete meqenëse u pa që dështimet kanë qenë me Borrellin. Pavarësisht se u arrit një gjysmë suksesi me arritjen e një marrëveshjeje në letër, zbatimi i saj nuk po bëhet. Sigurisht kërkesat do të jenë për rezultate”, ka thënë analisti Arbnor Sadiku. 

Përfaqësuesja e re e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka takuar ndaras të martën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtij të fundit i kërkoi ta zbardhë rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. 

Sikurse në rastin “Banjska”, zyrtarët serbë e kanë mohuar se qëndrojnë prapa shpërthimi në “Ibër- Lepenc” tek paralajmëruan inicim të hetimeve nga ana e tyre për ta zbardhur rastin e shpërthimit. 
Lidhur me këtë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, komentoi të martën për mediat serbe duke përmendur edhe arrestimet e mundshme. 

“Nëse është kryer nga dikush i kombësisë serbe dhe ai është në territorin që është nën kontrollin efektiv të Serbisë, ai do të ndalohet dhe arrestohet në të njëjtën sekondë”, ka deklaruar Vuçiqi. 

Ai shtoi se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit në mënyra të caktuara dhe me institucionet në Prishtinë, pa specifikuar se cili mund të jetë ky bashkëpunim. Lidhur me këtë mundësi nuk kanë komentuar në Bruksel. 

Sipas Vuçiqit, më e rëndësishmja është kush qëndron pas sulmit, duke hedhur poshtë mundësinë që mund të jetë Rusia. 

E kryeministri Albin Kurti në takimin e së hënës me ambasadorët e QUINT-it, BE-së dhe përfaqësues të shteteve të tjera e ka akuzuar Beogradin zyrtar se qëndron pas këtij sulmi. 

Sipas tij, një sulm i ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike u pa ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Ai shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë të mbështetur e të dirigjuar nga Serbia.

Mbrëmjen e së premtes kanali i “Ibër-Lepencit” u godit me eksploziv nga persona deri tash të paidentifikuar. Autoritetet e kanë rivendosur rrjedhën dhe kanë parandaluar kolapsin energjetik. Pas bastisjeve të realizuara në disa lokacione, Policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të madhe armatimi dhe ka arrestuar disa të dyshuar. Kosovës i ofruan mbështetje BE-ja e SHBA-ja tek kërkuan hetime të kujdesshme në zbardhjen e këtij rasti.