Arbëri

Pas rreth dy vjetësh, ndodh takimi bilateral mes kryeministrave Kurti e Rama

Kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama kanë tejkaluar mërinë e demonstruar mes vete prej së paku dy vjetësh. Ata u takuan në Prishtinë dhe firmosën edhe një marrëveshje. Njohës politikë thonë se të dy e kanë kuptuar se marrëdhëniet zyrtare Kosovë-Shqipëri duhet të jenë më të ngrohta.

Ka ndodhur takimi që nuk është parë gjatë dy vjetëve të fundit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij të Shqipërisë, Edi Rama.

Ata kanë shtrënguar duart kryesisht në margjina të samiteve ku të dy kanë qenë pjesëmarrës, por takimet bilaterale kanë munguar deri këtë të premte.

Në Qeverinë e Kosovës të dy zhvilluan një takim, pas të cilit nuk pati prononcim për media. Por, nënshkruan marrëveshjen për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Me këtë marrëveshje mundësohet organizimi i sportit të lundrimit në Durrës të Shqipërisë, në kuadër të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, që përbën ngjarjen më të madhe sportive në histori të Kosovës.

E, raportet mes kryeministrave u përkeqësuan kur Rama lansoi kritika publike ndaj Kurtit përkitazi me veprimet në veriun e banuar kryesisht me serbë dhe kur pa konsultim me Prishtinën zyrtare propozoi në Bruksel një draftstatut për Asociacionin.

Në Prishtinë, Rama u pa si zyrtari i parë i një shteti që i vuri sanksione Kosovës, shkaku i veprimeve në veri. Ai anuloi një mbledhje të përbashkët ndërmjet dy qeverive, për të cilën ishin bërë të gjitha përgatitjet në Gjakovë që ajo të organizohej.

Më pas, masa ndërmori Bashkimi Evropian.

Njohësi i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu, vlerëson se ftohja e raporteve mes dy kryeministrave është bërë për protagonizëm. Megjithëkëtë, ai vlerëson se tani Kurti dhe Rama e kanë kuptuar se marrëdhëniet zyrtare Kosovë-Shqipëri duhet të jenë më të ngrohta.

Në mbledhjen e anëtarëve të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, që u mbajt në Prishtinë, morën pjesë të dy kryeministrat. Ata dhanë mesazhe uniteti. Por, pati edhe shkëmbime mes tyre që nxitën debate.