Arbëri

Pas raportimit të KOHËS, Themelorja në Prishtinë nis me caktimin e seancave për rastet e pagjykuara

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur me caktimin e seancave për rastet që rrjedhin nga aktakuzat e EULEX-it, të pagjykuara nga Gjykata Themelore në Mitrovicë të paktën që nga viti 2019. Ndër rigjykimet e caktuara që do të nisin për pak ditë është rasti “Drenica 1” dhe një lidhur me akuzat për krim të organizuar

Ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Jahir Demaku, pritet të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë javën e ardhshme për rigjykim në rastin “Drenica 1”.

Ky është një prej 12 rasteve që nuk është gjykuar të paktën nga viti 2019 nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, e për të cilat ka raportuar KOHA.

Rasti “Drenica 1” është kthyer pjesërisht në rigjykim nga Supremja lidhur me akuzën për keqtrajtim të një civili shqiptar në Likoc të Skenderajt gjatë luftës në Kosovë. 

Me vendim të Këshillit Gjyqësor, Gjykata Themelore në Prishtinë nga ajo e Mitrovicës i ka marrë 12 raste në fillim të vitit 2023. Tetë kanë të bëjnë me krim të organizuar, tri për krime lufte dhe një për kontrabandë me imigrantë. 

Si arsye kryesore për mostrajtimin e këtyre lëndëve në Mitrovicë, në Themeloren e këtij qyteti e kanë përmendur Ligjin për Gjykatat, që hyri në fuqi më 2019 e që parasheh që aktakuzat e Prokurorisë Speciale t’i trajtojë Departamenti Special në Prishtinë. Është përmendur edhe ngarkesa me lëndë.

“Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë është një prej departamenteve me ngarkesën më të madhe të lëndëve në nivel të vendit, pothuajse barabartë me Departamentin e Krimeve të Rënda pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Shumica e këtyre rasteve rrjedhin nga aktakuzat e Prokurorisë së EULEX-it.

E, lidhur me akuzat për krim të organizuar që pritet të nisë këtë muaj është edhe rigjykimi në një rast, i cili në aktakuzë fillimisht i pati 12 persona të akuzuar si grup i strukturuar kriminal për trafikim të mbi 20 kilogramëve marihuanë.

Nga Mitrovicë në Prishtinë janë bartur edhe lëndë të tjera të krimit të organizuar, ku aktakuza në rastin “Transportuesi” ka 21 të akuzuar për kontrabandë me derivate të naftës, si dhe “Qarku”, ku sipas aktakuzës janë 46 të pandehur lidhur me kontrabandim të barnave.

Të dyja këto raste kanë vlera milionëshe që Prokuroria Speciale pretendon se i janë bërë dëm shtetit dhe ishin raste të shënjestuara për të marrë liberalizimin e vizave.

Në Prishtinë pritet të nisë së shpejti edhe gjykimi i tashmë të dënuarit për dhunim si krime lufte, Zoran Vukotiq, për të cilin në Gjykatën e Prishtinës kanë thënë se do t’i bashkojnë procedurat me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit. Ndër akuzat me të cilat do të përballet ai, është edhe pjesëmarrja në Masakrën e Studimes më 2 e 3 maj 1999, ku u vranë 116 civilë shqiptarë.