Operatori ekonomik i shpallur fitues për menaxhimin e pishinës së vetme publike të Prishtinës, asaj të Gërmisë, është tërhequr nga konkursi, pas akuzave të shumta se pronari i saj është njeri i afërt i LDK-së.
Gjatë ditës së hënë, ndërmarrja publike “Sport Marketing” e cila menaxhon me këtë pishinë, kishte shpallur rezultatet e konkursit për menaxhimin e pishinës së Gërmisë, në të cilin ishte vetëm një aplikues.
Pati akuza të shumta se kjo thirrje është mbajtur fshehtë, duke u publikuar vetëm në uebfaqen zyrtare të ndërmarrjes. E më pas u kuptua se pronari i kompanisë fituese “Delice Caffe SH.P.K” është sekretari i Degës së III të LDK-së në Prishtinë.
Për këtë ka reaguar fuqishëm Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta lejojnë tjetërsimin e pronave publike.
“Është duke tentuar të ndodh diçka që nuk ka ndodhur më herët. Pishina e Gërmisë është e qytetarëve të Prishtinës ata po donë të ia dhënë një operatori tjetër ekonomik jo vetëm biletat por edhe amfiteatrit. Mendoj që është një shkelje e madhe se cka po ndodh, mënyra se si është duke ndodh. Sport Marketingu ka pas të hyra vitin e kaluar prej pishinës së Gërmisë, madje e kanë promovuar vet e ka promovuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhik se ka pas shumë vizitorë. Pasi ka pas shumë vizitor pse ajo duhet t’i jepet një operatori ekonomik për menaxhim? Kujt jeni duke ia dhënë? Vetëm mënyra se si janë duke e dhënë këtu ka diçka dyshuese”, u shpreh asamblisti i VV-së në Prishtinë, Petrit Reçica.
Pas njoftimit për tërheqjen e operatorit, ndërmarrja publike e Prishtinës tashmë ka rishpallur thirrjen.
Por kësaj radhe “Sport Marketing” nuk e bën gabimin e njëjtë. Thirrja e dytë është promovuar edhe në faqen e tyre në Facebook, ku qytetarët kanë më shumë qasje.
Komuna e Prishtinës dhënien në menaxhim të kësaj pishine e arsyeton me vështirësitë financiare në të cilën ndodhet ndërmarrja Sport Marketing.
“Menaxhmenti i ndërmarrjes me bordin e drejtorëve, duke u bazuar në biznes-planin e aprovuar vjetor dhe rregulloret e brendshme të ndërmarrjes në fuqi, kanë vendosur që pishinën e Gërmisë ta japin në bashkëmenaxhim me një kosto më të lartë se të hyrat të cilat ndërmarrja normalisht i gjeneron brenda sezonit veror në të cilin operon. Kjo do të ndikojë në kualitetin e shërbimit karshi qytetarëve. Me bashkëmenaxhim nënkuptojmë ndarjen e përgjegjësive dhe po ashtu të të hyrave financiare, ku si rezultat do të kemi shërbime më të mira, higjienë të kontrolluar dhe personel të shtuar, duke mos ndryshuar çmimoret në fuqi”, kanë thënë nga Komuna.
Por, Reçica hedh poshtë deklarimet e Komunës së Prishtinës dhe “Sport Marketingut” se ky konkurs ka ardhur për shkak të vështirësive financiare në të cilën gjendet ndërmarrja.
“Është një neglizhencë nga ana e tyre që nuk i kanë bërë përgatitjet më herët. Nuk munden të thirren se nuk kanë pasur të hyra pasi Sport Marketing vitin e kaluar ka pasur të hyra më shumë se vitet e kaluara. Vitin e kaluar pishinën e Gërmisë i ka dhënë në shfrytëzim vetëm shankat, pra pjesën e gastronomisë. Është nënshkruar një kontratë që nuk është e vogël. Të hyrat prej hyrjes së pishinës së Gërmisë i shkojnë Sport Marketingut, dhe e treta shtëpizat në shesh, ato të hyra kanë shkuar në Sport Marketing. Në të kaluarën për ta marrë një shtëpizë në shesh ka kushtuar 80 euro ndërsa vitin e kaluar ka kushtuar 1400 euro një shtëpizë, kanë qenë 60 shtëpiza nga 1400 euro, ku mbeten ato të hyra? Nuk munden me thënë se nuk ka të hyra për ta përgatitur pishinën. Plus ka pasur edhe subvencionim nga Kuvendi Komunal në vlerë prej 50 mijë euro”, është shprehur Reçica.
U.d. drejtoresha e “Sport Marketing”, Arnita Canolli, thotë se kjo thirrje ka qenë e shpallur edhe në gazetën “Bota Sot”.
“Thirrja për bashkëpunim të pishinës së Gërmisë është shpallur me 15 maj dhe ka qenë publike si në uebfaqe të ndërmarrjes po ashtu në gazetën zyrtare. Ka qenë vetëm një operator i vetëm ekonomik pasi ka qenë kohë e shkurtër dhe nuk kanë qenë të interesuar asnjë operator ekonomik. Ka aplikuar dhe cdo gjë ka shkuar në bazë të procedurave të brendshme. Thirrja ka qenë e hapur që të jenë të hapur në hapje të ofertës”, ka thënë Canolli.
Ajo siguron qytetarët se çmimet e hyrjes së pishinës nuk do të ndryshojnë.
Sipas konkursit, pishina e Gërmisë parashihet t’i jepet në menaxhim një operatori ekonomik për dy vjet, vlera e të cilës kap shumën 140 mijë euro.