E përditësuar në 12:30 - Kuvendi i Kosovës ka miratuar pro disa marrëveshjeve ndërkombëtare që ishin bllokuar prej gati një vit.
Nga totali, ka miratuar dhjetë prej këtyre marrëveshjeve, dy dështuan në miratim dhe një u shty.
U miratua Projektligji për Aderimin e Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm; Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm; Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”; Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës; Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”.
Po ashtu, Kuvendi kaloi edhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik; Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian; Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat, dhe Ligjin për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.
Ndërkaq, me kërkesë të LDK-së është shtyrë projektligji për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”.
“Në bazë të asaj që kemi parë në projektmarrëveshje, është propozuar që Kosova e bashkëfinancon por financat i dërgon një kompanie në Maqedoni për ndërtim për ne kjo pjesë është e paqartë, për mos me e rrëzu sot marrëveshjen kërkojmë ta shtyjmë deri sa të kemi një sqarim”, ka thënë shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi.
Me kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për trajtimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare, Kuvendi ka miratuar edhe marrëveshjen e kornizës ushtarake me Turqinë dhe tjetra për programin për ujërat e zeza në Komunën e Ferizajt.
Kuvendi miratoi Ligjin për performancën energjetike të ndërtesave. Në parim miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria dhe ministrat; Projektligjin për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin nr. 05/L-087 për kundërvajtje; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.
Nuk pati kuorum për votimin në parim të Projektligjit për provimin e maturës shtetërore.
Ndërsa, u shty raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare.
U miratua Projektrezoluta për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Komunikimet Elektronike dhe Postare, për vitin 2022.
Projektligji për verërat dështoi pasi s’pati kuorum për amendamentet.
U tejkalua edhe votimi i amendamenteve për IVF-në pasi s’pati kuorum.
Kuorum s’pati as për votimin në parim të Projektligjit për gjendjen civile dhe Projektligjin për shpronësimin e pronës së paluajtshme.
U miratua Projektligji për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut.
U miratua në parim edhe Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit.
Nuk pati kuorum për Programin Kombëtar të Shkencës 2023/2028.
U zhvendos në një seancë tjetër votimi për themelimin e “Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti”.
Kërkohet seancë e jashtëzakonshme për dy marrëveshje
49 deputetë kanë nënshkruar e dorëzuar një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme, përmes së cilës do të trajtohen me urgjencë dy marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshja e kornizës ushtarake me Turqinë dhe tjetra për programin për ujërat e zeza në Komunën e Ferizajt.
Nuk miratohet marrëveshja për burgje me Danimarkën
Kuvendi nuk ka mundur ta miratojë Projektligjin për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Kjo për shkak se PDK-ja nuk ka votuar, përveç deputetes Eliza Hoxha. Po ashtu, nga VV-ja nuk votoi Eman Rrahmani.
Kuvendi nuk ka miratuar as Marrëveshjen e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. LDK-ja nuk ka votuar.
Pas bllokadës gati njëvjeçare sot pritet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare
Pas një bllokade gati njëvjeçare Kuvendi i Kosovës sot pritet t’i miratojë disa marrëveshje ndërkombëtare.
Kjo pasi që deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pritet t’i përkrahin ato.
Këtë e ka bërë të ditur kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, një ditë pasi që kryetari i PDK-së Memli Krasniqi u takua me kryeministrin Albin Kurti.
Hamza ka mohuar se gatishmëria për votimin e marrëveshjeve që e kapin vlerën e mbi 300 milionë eurove është derivat i takimit Kurti-Krasniqi.
Deputetë të PDK-së kanë kundërshtuar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që nga korriku i vitit të shkuar, me justifikimin se përfitimet prej tyre nuk janë të mundura shkaku i masave të BE-së dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Pos marrëveshjeve ndërkombëtare, PDK-ja nuk ka marrë pjesë as në votimin e projektligjeve të tjera.
Seanca e së enjtes do të fillojë në orën 10:00.