Gjashtë muaj pasi qëndroi pa mandat, Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të ish-të burgosurve politikë është funksionalizuar. Detyra e parë e komisionit do të jetë kryerja e pagesave për qindra ish-të burgosur, të cilët për tërë këtë kohë nuk kanë mundur të marrin kompensimin financiar. Shoqata e cila përfaqëson këtë kategori kërkon përshpejtim të procesit të shqyrtimit të aplikacioneve dhe kryerjes së kompensimeve.
Mbi 200 ish-të burgosur politikë gjatë kohës së Jugosllavisë janë duke pritur që nga muaji shkurt për të marrë kompensimin financiar që u takon me ligj për ditët e kaluara në burg.
Gjashtë muaj më parë Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja nuk ia vazhdoi mandatin komisionit.
Ndërsa po aq kohë i është dashur Qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje që ta funksionalizojë këtë komision, të cilin të mërkurën e emëroi me mandat 2-vjeçar.
Sekretari i Komisionit, Shefik Sadiku, thotë se pas vendimit të Ekzekutivit do të mund të kryejnë pagesat.
“Një numër të lëndëve e kemi të proceduar, janë të gatshme, diku rreth 220 janë të gatshme për procedim, por paraprakisht duhet të ulet komisioni, të fillojë punën dhe pastaj fillohet edhe me pagesa”, ka bërë të ditur ai.
janë duke u shqyrtuar aplikacionet e të burgosurve politikë, të cilët kanë nisur vuajtjen e dënimit gjatë shtatorit të vitit 1998.
Në Shoqatën e ish-të burgosurve politikë besojnë që me gjithë vonesat do të arrihet të realizohet plani i paraparë i punës së komisionit.
“Besoj që edhe në kohën e mbetur megjithatë do të përmbushet, do të përshpejtohet procesi dhe do të realizohet edhe siç ka ndodhur vitin e mëparshëm edhe në kohën e shkurtër që ka mbetur. Megjithatë do të realizohet i gjithë plani i paraparë”, ka thënë Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së ish-të burgosurve politikë.
Për këtë kategori vitin e kaluar janë ndarë 5 milionë e 500 mijë euro.
Sipas komisionit qeveritar deri më tani janë kompensuar mbi 3 mijë ish-të dënuar politikë.