Arbëri

Partive opozitare iu zbeh mbështetja në komunat që udhëheqin

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kanë sjellë ndryshime në elektoratin e partive politike nëpër komuna. Lëvizja Vetëvendosje doli me mbështetjen më të madhe në 21 komuna. Njohës të çështjeve politike thonë se ndonëse disa parti kanë ruajtur bastionet e tyre, elektorati viteve të fundit ka nisur të lëvizë dhe të shembë idenë e bastioneve

Lidhja Demokratike e Kosovës, që udhëheqë me më së shumti komuna, 9 sosh, nuk doli forcë e parë politike në asnjërën prej tyre, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së. Në Prishtinë, Viti, Pejë, Obiliq, Lipjan e Istog doli e dyta pasi u mund nga Lëvizja Vetëvendosje, e në Junik u mund nga AAK-ja. Ndërkaq në Dragash dhe Fushë Kosovë, komunë që asnjëherë nuk ka udhëhequr asnjë parti pos saj që nga paslufta, doli e treta, pas Vetëvendosjes e Partisë Demokratike. Në listën e kandidatëve për deputetë kjo parti i pati shumicën e kryetarëve të këtyre komunave.

Naim Jakaj, njohës i çështjeve politike, thotë se ndonëse dallojnë zgjedhjet nacionale me ato lokale, po shkon duke u shuar ideja e bastioneve të partive politike.

“Po ka pasur shembje të bastioneve, ku kryetarët e komunave aktuale nuk i kryejnë punët e veta me zotësi, nuk i kryejnë premtimet, ndërkohë partia politike që udhëheq vendin e fiton besimin më të madh”, ka thënë ai.

Por PDK-ja, që drejton 8 komuna, në 2 prej tyre doli e para, në Skenderaj e Drenas, duke e ruajtur Drenicën si bastion të saj.

Vetëm me këto komuna Jakaj thotë se PDK-ja e siguron kalimin e pragut elektoral.

“Ka edhe bastione të cilat nuk ndërrojnë, për shembull nuk ndërron Skenderaj, nuk ndërron Drenasi... Që i bie se pragun elektoral e kalon vetëm me këto dy komuna”, u shpreh ai.

PDK-ja e para doli edhe në Klinë, komunën të cilën e udhëheq AAK-ja. Në Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik e Han të Elezit, doli e dyta, pas Vetëvendosjes, e cila e mundi edhe në Mitrovicë, në komunën të cilën e udhëheq vetë kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

Ndërkaq AAK-ja në koalicion me Nismën Socialdemokrate e para doli në tri komuna, Deçan, Junik e Malishevë. AAK-ja e humbi mbështetjen si parti e parë në 4 komunat e tjera që drejton. Në Gjakovë doli e dyta pas Vetëvendosjes. Në Klinë e treta pas PDK-së e LVV-së, në Rahovec pas LVV-së dhe PDK-së e në Suharekë pas LVV-së dhe LDK-së.

E Vetëvendosje, përveç në komunat që drejton, Gjilan, Podujevë, Shtime dhe Kamenicë, është mbështetur për qeverisjen qendrore si e para parti edhe në 17 komuna të tjera.

10 komuna i fitoi Lista Serbe e 1 Partia Demokratike Turke.

Nga rezultatet preliminare krahasuar me zgjedhjet e 2021-tës në të cilat ishin të përfshira edhe votat e diasporës e ato me kusht, Vetëvendosje ra për 97.645, AAK për 61 vota, Lista Serbe për 6.878. LDK-ja u rrit për 35.830 vota e PDK-ja për 35.376. 

Komuna me më së shumti pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhje ishte Prishtina me 55 për qind e pas saj pjesëmarrja më e madhe ishte kryesisht në komunat me shumicë serbe. Lista Serbe ishte nga partitë që mori përqindjen më të madhe të mbështetjes nëpër komuna, mbi 89 për qind në njërën prej tyre. E nga partitë shqiptare, PDK-ja ishte e para me 77 për qind të votave vetëm për të, në Skenderaj. 

Shtrirja dominuese e LVV-së ka qenë e shprehur edhe në zgjedhjet e fundit komunale. Ajo më 2021 kishte votën popullore në shumicën e komunave, por garën për kryetar në disa prej tyre i humbi në raundin e dytë, meqë kundër i kishte në bllok të gjitha partitë.