Arbëri

Partitë shpenzuan deri në 10 mijë euro për parafushatë në rrjete sociale

Parafushata

Partitë politike kanë nisur parafushatën edhe në rrjete sociale. Disa prej tyre, vetëm në Facebook dhe në Instagram kanë shpenzuar afër 10 mijë euro për një muaj. Në shoqërinë civile e kanë vlerësuar shqetësues mosdeklarimin e shpenzimeve të parafushatës, që subjektet politike e bëjnë në tubimet me mbështetësit

Ndonëse ka edhe rreth tre muaj kohë deri në datën e zgjedhjeve nacionale, partitë politike e kanë nisur parafushatën edhe në formë tradicionale, por edhe në rrjete sociale.

Në platformën “Meta”, e cila zotëron Facebookun, Instagramin dhe Threadsin, partitë politike, liderë të tyre, kandidatë për kryeministra e edhe për deputetë kanë nisur t’i sponsorizojnë postimet me përmbajtje politike, për të cilat është e obligueshme transparenca.

Për një muaj, Lidhja Demokratike (LDK) ka sponsorizuar 18 postime e për të cilat ka paguar mbi 9 mijë euro. Për numër të njëjtë të reklamave, Partia Demokratike (PDK) ka shpenzuar 245 euro. 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shpenzoi 1,839 euro e kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, ka harxhuar në postime mbi 1.200 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka sponsorizuar ndonjë postim, por lideri i saj ka shpenzuar 1.846 euro.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është partia e vetme që ende nuk ka nisur ta sponsorizojë në rrjete sociale fushatën e saj parazgjedhore. Por, parafushatën tradicionale me tubime partitë e ka nisur qe një kohë brenda dhe jashtë shtetit. E shpenzimet për këto tubime nuk janë publikuar.

Eugen Cakolli, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se përbën shqetësim mungesa e transparencës për harxhimet në parafushatë.

“Shumica e shpenzimeve që janë bërë veçse nga partitë politike do të mbesin të paraportuara në kuadër të raportit të deklarimit financiar të fushatës. Kjo gjë përbën element shqetësues për shkak se nuk ekzistojnë mundësitë për të llogaritur qartazi se sa kanë shpenzuar partitë”, thotë ai.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme specifikon se çdo subjekt politik duhet t’i deklarojë shpenzimet e fushatës 90 ditë para zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së tyre. 

Por, Cakolli thotë se deklarimet e partive gjatë fushatës nuk janë reale, meqë ka dallim mes asaj që shpenzohet dhe asaj që raportohet.

“Ajo që bie në sy nga trendi i monitorimeve sidomos nga vitet 2019 dhe 2021, partitë politike shpenzojnë disa fish më shumë sesa raportojnë tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, thekson ai.

Në një raport të publikuar të premten nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, problematike u cilësua përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale nga ana e Qeverisë. Sipas raportit, kjo e bën garën të pabarabartë.

Qeveria është kritikuar edhe për ndërhyrje në procesin zgjedhor. Sipas përfaqësuesve të “Demokracisë në Veprim”, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) jashtëligjshëm dhe me tendencë ndërhyrjeje ka kërkuar hapjen e qendrave të votimit në hapësira të tjera jashtë vendit, përtej atyre që i ka miratuar Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).