Arbëri

Partitë politike ekspozojnë fëmijët në tubimet elektorale

Në tubimet partiake që janë duke u organizuar në kuadër të fushatës elektorale, janë ekspozuar edhe fëmijë. Veprimi i cili është në kundërshtim me ligjin, ka nxitur reagimin e organizatave për mbrojtjen e fëmijëve. E, në PZAP thanë se deri tash nuk kanë pranuar ndonjë ankesë

Partitë politike kanë ekspozuar fëmijët në fushatë zgjedhore, ndonëse këtë e ndalon ligji.

Fëmijë u panë në tubimin e së mërkurës të Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë.

Po ashtu edhe në tubimin e 14 janarit, të Partisë Demokratike të Kosovës.

E Lidhja Demokratike e Kosovës ka shfaqur edhe spot me këngë në fushatë, ku shihen fëmijët me fytyra.

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa konfirmuan se ekspozimi i fëmijëve në fushatë, përbën shkelje, por treguan se deri tash nuk kanë pranuar ndonjë ankesë.

“Në bazë të Rregullores Zgjedhore Nr.07/2024, për Fushatën Zgjedhore, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, neni 3 parasheh se “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatën zgjedhore”.

Veprimi i subjekteve politike ka nxitur reagimin e organizatave për mbrojtjen e fëmijëve.

“Përfshirja e fëmijëve në fushatë elektorale nga subjektet politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim, e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të tyre… KOMF në të njëjtën kohë u bën thirrje edhe prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i përfshijnë në asnjë formë në fushatë dhe të mos i marrin fëmijët me vete në aktivitetet, të cilat organizohen nga partitë politike”, thuhet në reagimin e Koalicionit të Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Edhe Këshilli i Prindërve në prag të hapjes së fushatës zgjedhore u ka bërë thirrje partive që të mos i shfrytëzojnë fëmijët politikisht për agjenda partiake.