Partitë opozitare kanë paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë të hënën se në seancën e së enjtes si pikë kryesore do të diskutohet për këtë projektligj, të cilin e ka kundërshtuar duke thënë se ka tendencë të Qeverisë për kontrollimin e mediave online.
“Çka do ta diskutoj me ju janë dy çështje të rëndësishme dhe mjaftë kritike për nga perspektiva jonë nga mënyra si i shohim ne. Është projektligji i Komisionit të Pavarur për Media i cili është në rend dite në seancën e ditës së enjte dhe është ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Këto dy projektligje paraqesin një shqetësim jashtëzakonisht të madh sidomos te projektligji i Komisionit të Pavarur për media ju e dini që tashmë ka pasur kritika të mjaftueshme edhe nga shoqëria civile po ashtu edhe nga zyrtarë të BE-së në Kosovë dhe nga Këshilli i Evropës dhe mund të themi se prej rekomandimeve që kanë ardhur nga Këshilli i Evropës, për standardet të cilat duhet të ketë një projektligj i tillë nuk janë përputh fare ose në masën më të madhe janë injoruar mund të themi lirisht. Ky projektligj është një tendencë e kontrollimit të mediave online të cilin ne e kundërshtojmë”, ka thënë ai.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka kritikuar pushtetin për këtë projektligj, duke thënë se me qasjen aktuale të tyre, vendi po rrezikohet nga tendenca e autokracisë, duke vendosur struktura personale në institucione të pavarura siç janë Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media.
Zemaj shtoi se kjo mendësi do të kundërshtohet në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
“Kemi më shumë se 35 pika të grumbulluara, disa të mbetura me muaj të gjatë si procedurë dhe me një ambient ku kushtet e punës në këtë situatë janë të pafavorshme për të zhvilluar një seancë të rregullt kuvendare. Kjo nuk është e rastësishme që ka ndodhur në Republikën e Kosovë, sidomos këtë vit pas humbjes së legjitimitetit të kësaj Qeverie dhe dorëzimit të z.Kurti për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe po vazhdon ajo që e kemi quajtur shqetësim nacional, tendenca e autokracisë në këtë vend për imponimin e strukturës personale në institucione të pavarura siç është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media e shumë organizata tjera që janë të pavarura me Kushtetutë. Këto do të kundërshtohen në këtë seancë”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se iniciativa për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media ka ardhur nga vetë KPM-ja, e që bazohet në “Europian Media Act” dhe që i njëjti është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë.
Ai tha Qeveria nuk ka pasur përfshirje në këtë projektligj dhe se i njëjti duhet të diskutohet.
“Iniciativa për një ligj të tillë ka ardhur nga vet Komisioni i Pavarur për Media bazuar në ‘Europian Media Act’ që e ka miratuar Komisioni Evropian me praktika të ngjashme sa i përket pronësisë. Është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë, besoj që nuk ka pasur ndonjë involvim nga qeveria dhe i njëjti duhet të diskutohet mund të hedhet në Kuvend dhe pastaj të merr versionin përfundimtarë. Komuniteti i gazetarëve, ekspertët e fushës i dinë se cilat janë praktikat e mira ato duhet të krahasohen me Bashkimin Evropian dhe besoj që ajo është destinacioni jonë final, qoftë nga praktikat e demokracisë ashtu edhe nga praktika e mediave”, ka thënë Muja.