Partitë politikë që nuk po i japin zgjidhje ngërçit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, po vlerësohet se e kanë keqpërdorur besimin e votuesve të dhënë më 9 shkurt. Zgjedhjet potenciale të parakohshme të cilat po kërkohen nga spektri politik, njohësit thonë se do t’u sjellin atyre më shumë pasoja sesa rezultatet pozitive
Me bllokadën e krijuar në konstituimin e legjislaturës së re, klasa politike e ka shpërfillur tërësisht vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë vlerësuar të shtunën njohës të çështjeve politike.
Analisti Basri Muja ka thënë se situata shpërfaq papjekurinë e përfaqësuesve politikë dhe papërfillshmërinë e tyre ndaj votuesve.
Ai e ka cilësuar të papërgjegjshme edhe kërkesën për zgjedhje të parakohshme, ende pa u materializuar rezultati i zgjedhjeve të para dy muajve.
“Në një situatë të tillë kur do të kemi zgjedhje të parakohshme, elektorati kosovar që shpesh ka ditur të marrë vendime shumë të mençura, do t’i penalizojë këto parti të cilat për arsye krejt banale, për interesa partiako-politike të ngushta i kanë shkelur interesat e përgjithshme dhe shpresoj shumë që faturën do ta marrin ditën e votimit”, ka thënë Muja.
Pas bllokadës në Kuvend, dy partitë që kanë siguruar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë përmendur opsionin e zgjedhjeve të parakohshme – Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike.
E, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, i ka thënë REL-it, se kjo situatë mund të ketë pasoja për shtetin.
“Kosova është tanimë e dërrmuar nga krizat politike, nga marrëdhëniet jo të mira me faktorët ndërkombëtarë, nga mungesa e zhvillimit, nga njëfarë forme stagnimi institucional dhe zhvillimor. Nga krizat e vazhdueshme, nga tensionet me Serbinë, nga mungesa e dialogut me BE dhe nga sanksionet e BE-së. Dhe nga zhvillimet e shpejta ndërkombëtare që po rrezikojnë qëndrueshmërinë edhe vendeve të tjera, jo vetëm të Kosovës”, ka thënë ai.
Për të dielën është caktuar vazhdimi i radhës i seancës konstituive të Kuvendit.
Por, Muja është shprehur skeptik se do të ketë lëvizje pozitive, pasi thotë se të dy taborët politikë janë betonuar në qëndrimet e tyre që nuk i kontribuojnë zgjidhjes së ngërçit.
“Mendoj që nuk do të lëshojnë pe sepse ata i frikësohen pastaj tavolinës së radhës, zgjedhjes së kryeministrit, ku për dallim prej tavolinës ekzistuese ajo i ka afatet strikte, e ka skadencën dhe për 15 ditë, 10 ditë, 10 ditë prapë diku për 35-40 ditë do të vendoset nëse do të kemi qeveri të re apo do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe asnjëra prej partive nuk është e gatshme të marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin me një qeveri të ngushtë deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.
Të dielën bëhen 30 ditë prej kur janë certifikuar rezultatet zgjedhore.
Kushtetuta parasheh që seanca konstituive të mbahet brenda 30 ditësh, por nuk ka vënë kufizime për kohën brenda së cilës duhet të finalizohet konstituimi i legjislaturës.
Një ditë më parë, deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila udhëhoqi grupin parlamentar të Vetëvendosjes në mandatin e shkuar, tha se nëse as të dielën nuk zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, debati duhet bërë për zgjedhjet.
“Është e paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës se 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është në ditën e diel, më 27 prill. Apo nëse e shohim me ditë kalendarike një pas një, mund të jetë nesër. Marsi i ka pasur 31 ditë, prandaj kjo situatë nuk është se mund të shkojë tërësisht në pafundësi, mund të sjellë një rrethanë krejtësisht tjetër, ku diskutimi i përbashkët me subjektet politike po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, ka theksuar ajo.
E, Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron punën e Kuvendit, ka shtruar nevojën që presidentja Vjosa Osmani të aktivizohet dhe çështjen ta adresojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Një gjë që mund të interpretohet tani ose që mund të vijë deri tek interpretimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese është që deri kur ka afat Kuvendi të konstituohet. Ose a prodhon pasojë juridike pamundësia për të konstitutuar Kuvendin, ndonjë pasojë në kuptimin ose të zgjedhjeve, ose të ndonjë zgjidhjeje që do të kishte ofruar”, ka thënë Jakaj.
Gjykata ka trajtuar dhjetë vjet më parë disa aspekte që lidhen me konstituimin, por Jakaj thotë se në vendim nuk i jepet përgjigje situatës së tashme.
“Gjykata nuk ka ofruar zgjidhje në vitin 2014 dhe tashmë do të duhej të bëhej një pyetje e re ndaj Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë këtë normë, të normohet, të vendoset si praktikë që mos të ketë problem si në legjislaturat e kaluara”, ka thënë ai.
Deri tash janë organizuar gjashtë tentime për ta konstituuar Kuvendin.
Pengesat nisën me kundërshtimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve. Miratimi i tij u bë me unitet të plotë tek në vazhdimin e tretë të seancës konstituive, pas një konsensusi që u arrit mes grupeve parlamentare.
Por pengesa e radhës doli kur Vetëvendosja e propozoi Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Kjo kandidaturë ka dështuar të marrë votat e nevojshme në katër vazhdimet e fundit të seancës, që janë organizuar më 19, 21, 23 dhe 25 prill.
Partitë që kanë qenë në opozitë në legjislaturën e shkuar, e kanë kundërshtuar kandidaturën e saj, ndërkaq Vetëvendosje nuk ka propozuar një kandidat tjetër me arsyetimin se Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë partisë fituese të drejtën ekskluzive që të propozojë kandidatin.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve.