Arbëri

Partitë ende në “kërkim” të emrave për listën e deputetëve

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se deri tash asnjë subjekt politik nuk e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë. E në periudhën prej kur është caktuar data e zgjedhjeve, partitë politike, krahas aktiviteteve me mbështetës, kanë prezantuar vetëm disa nga kandidatët e tyre për deputetë. Afati i fundit për dorëzimin e listës me emrat e deputetëve është 11 dhjetori

Asnjë parti politike nuk e ka dërguar në Komisionin Zgjedhor listën me emrat e deputetëve, me të cilët do të konkurrojë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Por, në periudhën prej kur është caktuar data e zgjedhjeve, ato krahas aktiviteteve me mbështetës, kanë prezantuar disa nga kandidatët e tyre për deputetë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se afati i fundit për parti është 11 dhjetori.

“Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listën e tyre të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më datë 1 shtator dhe mund të konfirmoj se deri tani nuk kemi ndonjë aplikim nga ana e ndonjë subjekti politik”, ka thënë ai.

Elezi u shpreh se pasi partitë t’i dërgojnë listat në KQZ, ato duhen verifikuar në Këshillin Gjyqësor, për të parë nëse për shkak të së kaluarës penale ndonjëri nga kandidatët nuk i përmbush kriteret ligjore për të marrë pjesë në garë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është një prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, u shpreh ai.

Zëdhënësi i KQZ-së ka bërë të ditur, po ashtu, se deri më 22 nëntor, përmes platformës elektronike, janë regjistruar afro 19 mijë votues nga jashtë. Tha se edhe në rast se aplikimi i refuzohet dikujt, ai person mund të aplikojë sërish, sapo ta plotësojë dokumentacionin e munguar.

"Është e rëndësishme ta theksojmë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues. Kjo do të thotë se nëse një shtetas i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të riaplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për ta përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, tha Elezi.

E kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, i ka kërkuar KQZ-së që ta përmirësojë qasjen në vendvotime për qytetarët me aftësi të kufizuara.

“Vetëm qasjen e kemi problem të vazhdueshëm; nëpër shkolla kur personi do të votojë në vendin ku ne të gjithë votojmë, qasja është problematike dhe unë e lus edhe organizatën që është përgjegjëse për këto, që t’ia mundësojë secilit person që të shkojë lirshëm deri në vendin e votimit”, ka kërkuar Balje.

Ndërkohë, partitë politike opozitare edhe gjatë vikendit mbajtën tubime e adresuan kritika për pushtetin.

Bedri Hamza, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, takime mbajti në Gjermani.

Lumir Abdixhiku i LDK-së të dielën promovoi tubimin e mbajtur një ditë më parë në Ferizaj. E Ramush Haradinaj, kandidat i AAK-së, të shtunën mori pjesë në “Darkën e Lamës”, e organizuar në Deçan.