Me konfirmimin e mbi 100 mijë aplikimeve nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka nisur gara mes partive politike lidhur me përqindjet që do t’i marrin nga kjo trupë votuesish. Megjithëqë periudhën prej 120 ditësh të vënë në dispozicion për regjistrim, të enjten në mesnatë ka pasur edhe një tentim nga KQZ-ja për zgjatje të afatit. Por, nisma ka dështuar.
Periudha 120-ditëshe për regjistrimin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet e 9 shkurtit, është përcjellë me ekzaltim të madh nga partia në pushtet dhe nga ato në opozitë.
Burime të KOHËS treguan se mbrëmjen e së enjtes ka pasur edhe një përpjekje për ta zgjatur afatin e aplikimit, pasi gjatë ditës dështoi mbledhja për mungesë kuorumi.
Kryesuesi i KQZ-së ka dërguar në adresë të anëtarëve një email, me të cilët i ka njoftuar për mbledhje në orën 23:00.
Sipas Sami Kurteshit të Vetëvendosjes, në votim nuk morën pjesë anëtarët nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e Lista Serbe.
Por anëtari i AAK-së, Ibrahim Selmonaj, tha se mbledhja nuk është thirrur sipas procedurave standarde.
“Ka qenë informatë e vonuar. Ne kemi një procedurë që shkon përmes këshillave. Proceduralisht ka qenë e vonuar”, tha ai.
Për mungesën në mbledhjen e mesditës të së enjtes anëtari nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani tha se ka pasur aktivitete të planifikuara më herët.
“Një prej tyre ka qenë informimi i kandidatëve për obligimet ndaj KQZ-së. Prandaj e kam pasur të pamundur të jem në dy vende në të njëjtën kohë. Për informim, kam qenë i përfshirë në hartimin e procedurave dhe platformën elektronike për t’ua lehtësuar të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit për aplikim për votim”, u shpreh ai.
Pas mbylljes së afatit, KQZ-ja njoftoi se mbi 90 mijë qytetarë jashtë Kosovës janë regjistruar si votues. Ndërkaq, numri i aplikimeve në shqyrtim është 18.244.
Përderisa eksponentë të Vetëvendosjes e shpërndanë me të madhe numri prej 100 mijë votuesve potencialë, LDK-ja ia atribuoi vetes 40 mijë vota nga ky total.
“Fitorja e parë elektorale po merr formë sonte! Është e bukur, është freskuese, është vetë ndryshimi i kërkuar tash e sa kohë. Plot 105,000 të regjistruar, nga të gjitha etnitë; tani që kanë mbetur vetëm edhe një orë e gjysmë. Ju faleminderit secilit për angazhimin e treguar qytetar në këtë proces demokratik. Të 40 mijë mbështetësve tanë, ndërsa, të regjistruar deri në këto orë, ju faleminderit nga zemra që po shënoni hapin e parë në fitoren e parë elektorale! Fjalët më mbesin të mangëta për t’iu shprehur gjithë mirënjohjen tonë për ringritjen e djathtë tuajën”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhikut e edhe deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, u ka reaguar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
“Meqenëse dy kandidatët, Lumiri e Mërgimi mbrëmë ishin falënderues me target specifik ndaj mërgatës, përkatësisht 40 mijë falënderime njëri dhe 100 mijë tjetri, atëherë neve nuk na mbetet tjetër veçse të jemi falënderues ndaj këtyre dyve për falënderimet e tyre ndaj votuesve tanë. Po ashtu, nuk do të ishte keq që t’i trimëroni e inkurajoni pak anëtarët tuaj në KQZ të vijnë në mbledhje e mos të ikin nga votimi”, tha zëdhënësi i VV-së, Manxhuka.
Veç KQZ-së, fushata intensive për ta bindur diasporën që të aplikojë ndërmori edhe qeveria, dhe në të u përfshi edhe kryeministri Albin Kurti. E Ministria e Jashtme të enjten ka dërguar mesazhe, që u shkuan edhe banorëve rezidentë në Kosovë.
Analisti Lulzim Veliu thotë se fryma e zgjedhjeve të kaluara ka ndikuar që të gjitha partitë t’i kthehen diasporës në kërkim të votës.
“Ishte pikërisht diaspora ajo që bëri ndryshimin kryesor dhe solli Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet. Ajo e ka shtyrë edhe më tepër Lëvizjen Vetëvendosje që sërish t'i kthehet të mërgatës vetëm në kohën e fushatës, vetëm në kohën e zgjedhjeve. Ndërsa partitë e tjera duke parë se pikërisht ishte mërgata ajo që e bëri hapin e madh për ndryshimin në zgjedhjet e kaluara, ju kanë rikthyer asaj dhe kemi pasur tubime të shumta të partive dhe personaliteteve të shquara nëpër vende të ndryshme në mërgatë”, tha ai.
Me ndryshimet në Ligjin e ri për zgjedhje, përveç me postë, tani diaspora do të mund të votojë edhe në ambasada ose konsullata.