Arbëri

Partia e Rashiqit paralajmëron masa ligjore ndaj atyre “që cenuan vullnetin e qytetarëve”

Nenad Rashiq

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (PLDM), e udhëhequr nga ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqi, ka denoncuar parregullsi në procesin zgjedhor të mbajtur më 9 shkurt, duke theksuar se ato kanë cenuar ndershmërinë e votimit dhe vullnetin e qytetarëve.

Në një deklaratë zyrtare në Facebook, PLDM-ja ka bërë të ditur se disa votues që mbështetën partinë e tyre nuk patën mundësi t’ju njihej zëri siç duhet.

Një rast konkret i përmendur nga partia lidhet me vendvotimin 1404 në fshatin Bostane të Novobërdës, ku sipas procesverbalit fillestar, partia nuk kishte marrë asnjë votë. Megjithatë, pas numërimit në qendrat komunale të numërimit ka dalë që partia e Rashiqit në fak kishte marrë nëntë vota.

Duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, PLDM-ja ka paralajmëruar veprime ligjore kundër përgjegjësve dhe ka njoftuar ngritjen e kallëzimeve penale ndaj atyre që kanë kryer parregullsi.

“Vendosmëria jonë për të mbajtur drejtësinë do të jetë e palëkundur, sepse vetëm përmes zgjedhjeve të ndershme mund të garantojmë përparimin e komunitetit”, thuhet në deklaratën e partisë.

Partia e Rashiqit është në rrugë të mirë për ta siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës nga 10 të garantuara për komunitetin serb. Do të ishte hera e parë që Lista Serbe nuk i ka të gjitha ulëset.

Dy ditë pas zgjedhjeve, të martën, në një intervistë në KTV, Rashiqi ishte ankuar se dikush po u ofron para të majme komisionerëve që t’i keqpërdoren votat e partisë së tij.