Arbëri

Parlamenti i Spanjës nesër diskuton propozimin për njohje të Kosovës

Spanja dhe Kosova

Parlamenti i Spanjës nesër do të shqyrtojë nismën e grupit parlamentar të separatistëve katalunas Junts me të cilën kërkohet "njohja e Republikës së Kosovës si shtet sovran nga shteti i Spanjës".
"Kongresi i bën thirrje Qeverisë të njohë Republikën e Kosovës si një shtet sovran", thuhet në propozimin e nismës së deputetëve të partisë së themeluar nga ish-presidenti katalunas Karles Puigdemont, ka shkruar mediumi serb Novimagazin.

Shpjegimi i nismës që është botuar në gazetën zyrtare të parlamentit thotë se Kosova është "një shtet në Ballkanin Perëndimor me shumicë myslimane shqiptare, një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milionë banorë që shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur si shtet i pavarur nga 104 nga 193 vende".

Duke rikujtuar deklaratën e Qeverisë spanjolle të tetorit të vitit 2021, se "Spanja mbetet e qëndrimit se nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë” së Kosovës sepse është një "akt i njëanshëm", deputetët e këtij grupi theksojnë se "është koha për të bërë përpjekje të rëndësishme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës me një marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare".

"Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që ka ushtruar të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe një faktor destabilizimi në rajon në një kontekst të shënuar nga lufta në Ukrainë, të cilën kjo pjesë e Evropës e percepton me shqetësim të veçantë", thuhet tutje në shpjegim. 

Në këtë kuptim theksohet se "nuk është e pranueshme që shteti spanjoll të ndajë të njëjtën strategji të refuzimit për të njohur Kosovën, si Rusia, Kina apo Bjellorusia"

Shpjegimi kujton se nga janari i vitit 2024, Spanja ka detyrimin të njohë pasaportat e Kosovës në përputhje me rregulloren e BE-së me të cilën "ky vend ballkanik iu bashkua regjimit afatshkurtër të heqjes së vizave në zonën Shengen", si dhe se tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën sepse BE-ja ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, e cila nënkupton marrëdhënie të llojeve të ndryshme me shtetet anëtare.

Grupi parlamentar Junts e konsideron "të nevojshme njohjen e Kosovës si shtet sovran, pasi kjo do të shprehte mbështetje për rezolutat e Parlamentit Evropian, dhe veçanërisht dy të fundit nga viti 2023 në të cilat kërkojnë që pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë bërë këtë, ta njohin Kosovën dhe ta lejojnë atë të ecë përpara në rrugën evropiane pa vonesa të mëtejshme në të njëjtat kushte si vendet e tjera kandidate".