Arbëri

Paranoja e Luftës së Ftohtë e la të mbushur me bunkerë - Tani shqiptarët po kthehen në jetë

Ushqime tradicionale shqiptare

Përgatitje e ushqimeve tradicionale shqiptare

Ecni pranë shtëpisë së ish-diktatorit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, në qendër të Tiranës dhe mund të mos e njihni. S'ka asnjë shenjë dalluese për të shënuar rëndësinë e saj historike. Rezidenca dykatëshe, e thjeshtë sipas standardeve të diktatorit, duket sikur po rimodelohet në vend që të ruhet.

Shtëpia u hap për publikun vetëm një herë në vitin 2018 dhe pak prej tyre kanë qenë brenda saj. Gjendja aktuale e rezidencës së Hoxhës përmbledh atë se çka ndjejnë shumë shqiptarë për vitet e komunizmit. Duke pësuar traumë kolektive të mizorisë, shumë do të pëlqenin që ta harronin se ajo shtëpi ka ekzistuar ndonjëherë. Gjatë sundimit komunist, Hoxha, famëkeq, paranojak dhe izolues, i mbylli kufijtë e Shqipërisë. I qëlloi ata që tentuan të largoheshin dhe ndërtoi bunkerë të mjaftueshëm sa për të strehuar secilën familje.

Kështu duket sot rezidenca e diktatorit Enver Hoxha

Dyshimet e regjimit të tij ndaj aleatëve komunistë, përdorimi i përcjelljes shtetërore dhe brutaliteti i stilit stalinist i dhanë Shqipërisë nofkën e papërshtatshme (por jo të pasaktë) “Koreja e Veriut e Evropës”.

Pas përfundimit të regjimit 44-vjeçar të Hoxhës në 1985-s dhe të komunizmit në 1990-n, Shqipëria i trashëgoi 221.143 bunkerë dhe objekte ushtarake, që për dekada kanë shërbyer si kujtime solemne të ditëve të errëta. Sot, Shqipëria po përjeton një rilindje turistike, e përkrahur nga sipërmarrës dhe emigrantë të kthyer që po i japin një jetë të dytë strukurave ushtarake komuniste, që dikur shfrytëzoheshin për të vendosur armë lufte. Për t'i rikthyer traditat e vjedhura, shqiptarët tash po i përdorin bunkerët dhe ish-kazermat ushtarake si restorante që shërbejnë ushqim dhe verë tradicionale, ambiente unike për bujtina, muze arti dhe historie, madje edhe studiot e tatuazheve. Derisa Shqipëria është ende duke i grumbulluar pasojat e epokës komuniste, është evidente që disa janë të vendosur të rimarrin kontrollin e narrativit dhe të mos lejojnë që e kaluara e errët t'i përcaktojë ato.

E moçmja është flori

Ju ecni me veturë 16 minuta lart në kodrat malore jashtë Tiranës, duke kaluar tokën bujqësore me delet që kullosin, nëpër disa rrugë të ngushta zigzage dhe do të përshëndeteni me një kukull me veshje ushtarake dhe maskë gazi. “Mirë se vini në Kazermën e Cerenit”, ish-kazermë dhe kompleks ushtarak i kthyer në një nga restorantet dhe destinacionet më të reja të agroturizmit të qytetit. Kjo është ideja e Ismet Shehut,  kuzhinier shqiptar i trajnuar në Britaninë e Madhe, që dikur ia shërbente drekën Mbretëreshës Elizabeth II. Ai sot është kthyer në shtëpi për të ndërtuar një perandori restorantesh, e projekti i tij i fundit është Kazerma, që u hap para një viti e gjysmë. Ai tregon rrugën nëpërmjet portës së sallës së ngrënies, hyrjes kryesore të ruajtur në kazermën origjinale dhe shkruan ‘E vjetra është ari’, derisa bën shpjegon se përreth muret janë me fildish, kolonat origjinale prej betoni me datat '82 dhe '76, të gdhendura në to, dhe arkat e granatave jeshile që tash mbajnë gota vere.

Ajo që aktualisht është një sallë ngrënieje dykatëshe, dikur ishte shpellë për kamionët ushtarakë. Është gati e panjohur nga pamja e mëparshme, pos shinave origjinalë të hekurit që mbështesin çatinë prej druri dhe vrimave të hapura në tullat që kanë mbetur të paprekura.

“Kazerma është ferma në tryezë. Ka të bëjë me ndihmën e shqiptarëve dhe fqinjëve tanë. Kur njerëzit vijnë këtu, thonë 'Uau'. Ky vend ka qenë për ushtarët, dikur ka qenë për tanke, tritol dhe granata. Tani është një vend i paqes, njerëzit që shërbejnë me një buzëqeshje. Ky është një ndryshim i madh, apo jo”, shprehet Shehu.

Një nga kujtimet e kornizuara në mur është një listë e vjetër e racioneve të ushtarëve në një lopë letër, e skuqur dhe e rrudhur nga mosha ku shkruhet '120 gramë mish, 200 gramë bukë, 100 gramë makarona...’

Në sallën që dikur ishte stacion i ushtarëve, Shehu sot iu shërben mysafirëve dhallë tradicionale në gota alumini dhe duke përdorur tabaka nga tava ushtarake, për të shërbyer pjata me rosë, makarona dhe fli.

Kamerierët vishen me veshje ushtarake, ndonjëherë me shami të kuqe të partisë komuniste.

“Stafi im është i veshur si ushtarë dhe ata e bëjnë shërbimin me një buzëqeshje - e ndonjëherë edhe me armë false. Për të paguar ushqimin, të ftuarve iu jepet fatura në një qese të rreme granate”, ka shpjeguar tutje ai.

Kazerma që sot shërben si restorant ka edhe serra, fermë rosash, ish-bunkerë ushtarakë që tash përdoren për shijimin e verës dhe djathit, një muze i vogël kujtimesh ushtarake dhe disa bujtina ku njerëzit e kalojnë natën. Nëpër dhoma, Shehu ka vendosur blloqe të mëdha cilindrike prej betoni për t'i imituar dushet e kazermave. Dekorimi shtesë përfshin radio të vjetra ushtarake, kondakët e pushkëve prej druri dhe mensat e përdorura si vazo lule. Derisa Shehu pranon se vitet e komunizmit ishin të dhimbshme, qëllimi i tij është që njerëzit të mos kenë frikë nga e kaluara, por të ecin tutje.

“Në kohën e komunizmit isha shumë i ri”, thotë 35-vjeçari. “Por, e di që babai im ka luftuar shumë. Nuk dua ta harroj kurrë atë që ishte më parë, por tani historia ka ndryshuar. Ne po bëjmë gjëra të reja, kjo është Shqipëria e re”.

Pragu i urisë

Pak hapa larg xhamisë së Et'hem Beut të epokës osmane në sheshin qendror Skënderbej të Tiranës ekziston një tjetër bunker ushtarak i kohës së Hoxhës. Bunk'Art 2 është muzeu më i rëndësishëm i vendit që i rendit mizoritë e bëra nën sundimin komunist në Shqipëri dhe ndodhet në një bunker të ruajtur të shkallës bërthamore, që dikur lidhte zyrat politike të qeverisë qendrore.

Një nga fytyrat në shkallët e vendosura është Sabiha Kasimati, një shoqe e vjetër e shkollës së mesme të Hoxhës, e cili i kërkoi atij të ndalonte vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe më vonë u burgos pa gjyq.

Bunk'Art 2 i ka verifikuar rreth 5.500 njerëz të ekzekutuar politikisht nga vitet e Hoxhës, por vlerësimet jozyrtare tregojnë se deri në 100.00 janë të zhdukur nën urdhrat e qeverisë. Kjo do të thotë se trupa të panumërt nuk janë gjetur kurrë, duke i lënë shqiptarët të presin zbulimin përfundimtar të varrezave masive.

“Shqipëria kishte një nga regjimet më të ashpra komuniste në botë”, kujton Eci Koço, një 50-vjeçare që themeloi grupin turistike Albania My Way, e që jetoi gjatë viteve të komunizmit.

“Ne u krahasuam me Korenë e Veriut sepse qeveria krijoi një kult personaliteti, duke na thënë se ata ishin perëndi dhe na duhej t'i adhuronim, duke krijuar sistem për të kontrolluar kufijtë dhe duke vrarë këdo që tentonte të arratisej ose të futej në vend.”

“Në tunelet e thella të mbrojtura ndaj bombave bërthamore, ekspozitat shpjegojnë se çka ndodhi këtu gjatë viteve kur Shqipëria ishte shkëputur nga bota. Sigurimi ose policia lokale e përcjelljes, kontrollonte gjithçka se i rregullonte njerëzit për t'i spiunuar familjarët dhe miqtë”, shtoi Koço. Mes artikujve të ekspozuar është një fshesë prej druri me një pajisje dëgjimi të futur fshehurazi në krye të saj, që iu mundësonte fqinjëve t'i spiunonin fqinjët.

“Në vitin 1990 ne ishim në prag të urisë. Edhe rrobat e këpucët mungonin. Kishte vetëm pesë modele për të zgjedhur dhe të gjitha dukeshin njësoj”. ka shtuar ajo.

“Ushqeheshim me propagandë të vazhdueshme që thoshte se ishim vendi i vetëm në botë që po ndërtonte komunizmin e vërtetë dhe se ne ishim ylli i ndritshëm. Ishte në kontrast të thellë me atë që po e jetonim përditë dhe kjo krijoi një sindromë të caktuar të gënjeshtrës dhe maskimit të realitetit. Në ditët e sotme ne ende kemi shumë frikë t'i shprehnim ndjenjat tona të vërteta”, ka thënë Koço.

Qyteti i Gjirokastrës së epokës osmane në Shqipërinë e Jugut ka lidhje me trashëgimin e Hoxhës, duke qenë edhe vendlindja e diktatorit.

Sot, ndërtesa ku ai lindi njihet zyrtarisht si Muzeu Etnografik i Gjirokastrës. Veç një pllakë mermeri e vetme në dyshemenë e një dhomë të dekoruar përkujton ardhjen e Hoxhës në botë, më 16 tetor 1908. Saktësisht në rrugë, në qendër të Gjirokastrës, Manushaqe Zhuli, 65-vjeçare, ka ngritur një koleksion privat të antikiteteve shqiptare, në një tunel të ngushtë bunkeri.

Ajo ekspozon artikuj që datojnë nga epoka bizantine deri në vitet e komunizmit dhe kërkojnë një pagesë modeste nga vizitorët. Biznesi është privat dhe ajo ende s'ka marrë mbështetje nga qeveria e vendit. Në Shqipëri, përballja me realitetet e papërpunuara të së shkuarës duket se është në progres.

“Opinioni i botës për ne u dëmtua nga ngjarjet e viteve '90 kur u hapëm. Ishim krejtësisht të pavetëdijshëm për vlerat që bartnim dhe ndiheshim inferiorë ndaj vendeve të tjera. U deshën 20 vjet që një numër i konsiderueshëm turistësh ta shikonin Shqipërinë si një destinacion që ia vlen të vizitohet”, ka deklaruar Koço.

“Rilidhja me rrënjët tona”

Fshati i izoluar bujqësor i quajtur Fishtë edhe vend që shumë shqiptarë më parë s'e gjenin as në hartë. Kështu ndodhi derisa lindi destinacioni i agroturizmit Mrizi i Zanave, duke i transformuar jo vetëm këto toka të vetmuara bujqësore, por edhe trajektoren historike gastronomike të Shqipërisë. Kodrat rrotull që tash ofrojnë perime të freskëta për mysafirët e restorantit janë të përqendruara në një kompleks që dikur ishte burg i komunizmit.

Sot, në vend të burgosjes së njerëzve, dhomat e ndryshme të kompleksit presin grupe turistike, duke shfaqur traditat e dikurshme shqiptarë në prodhimin e djathit, vreshtarisë dhe madje edhe shurupin e konit të pishës - një përbërës i përdorur zakonisht në perimet e djathit, që ka shije si ajri nga një pyll me pisha..

“Ideja këtu është të rilidhemi me rrënjët tona,” ka thënë Altin Prenga, një inxhinier bujqësor që bashkë me vëllain e tij është kryekuzhinier në Mrizin e Zanave.

“Ne u shkëputëm për shkak të komunizmit. Punonim në fshat, por ishim punonjës të shtetit, jo fermerë. Ne i humbëm të gjitha traditat tona dhe në vend të kësaj përdorëm teknika komuniste. Ushqimi u bë i bardhë dhe katror. Bukë, e bardhë dhe katrore. Djathë, i bardhë dhe katror. Është ushqim pa identitet”, ka shtuar ai.

Në një kodër mbi restorantin, që shërben si një pikë vështrim për tokat bujqësore përreth, Prenga tregon bujtinat kryesore të pronës. Këto paraqesin një veçori të pazakontë arkitekturore - një copë muri me tulla që mungon. Prenga rrëfen me krenari se këto boshllëqe prezantojnë pjesën e munguar të traditave shqiptare, e që është misioni i tij jetësor për ta ringjallur.

“Ne e hapëm këtë restorant me ëndrrën për t’i rindërtuar këto rrugë (për traditat tona)”, thotë Prenga me krenari duke treguar faktin se ai punëson gjyshe vendase dhe romë, një pakicë e margjinalizuar prej kohësh në Shqipëri.

“Hap pas hapi, ne kemi rizbuluar atë që kemi humbur nga komunizmi”.