Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar kontrabandimin e mbi 1400 pijeve të ndryshme në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.
Në njoftimin e Doganës thuhet se gjatë mbrëmjes të së shtunës në Jarinjë është paraqitur një kamion me targa të huaja në hyrje të territorit.
Fillimisht, vozitësi ka deklaruar se kamioni është i zbrazët dhe nuk transporton mallra, por pas kontrollit është gjetur mall i padeklaruar.
“Për shkak të dyshimeve nga ana e zyrtarëve doganorë dhe policorë, kamioni është selektuar për një kontroll të detajuar në vijën e dytë. Gjatë këtij kontrolli, në hapësirat e kamionit ku vendosen pajisjet është zbuluar mall i padeklaruar si më poshtë: Birra rreth 750 litra, pije energjike rreth 200 litra, pije të gazuara rreth 120 litra, lëngje të ndryshme 350 litra”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se kamioni dhe malli janë dërguar në terminalin doganor dhe janë nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e procedurave.