Arbëri

Paralajmërohet ndjekje penale për keqpërdoruesit e provimit të maturës

Nxënësit e klasave të 12-a nesër do t’i nënshtrohen provimit të maturës. Atyre u është ndaluar të marrin me vete në shkolla telefona celularë, derisa Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje administruesve që të mos lejojnë të vihet në pikëpyetje besueshmëria e provimit. Shkelësit e rregullave të këtij procesi mund të përballen me gjoba nga qindra deri në mijëra euro, duke mos e përjashtuar as ndjekjen penale.

Afro 24 mijë nxënës në të gjithë Kosovën, të shtunën, do t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore.

Ministria e Arsimit thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të sigurohet testim i besueshëm.

Për ta zvogëluar mundësinë e kopjimit, nxënësve sivjet u ndalohet të marrin me vete telefonat në sallat e testimit, derisa ministria ka rikujtuar ndëshkimet për shkelësit e rregullave të këtij procesi.

“Nëse administruesi apo mbikëqyrësi zbulon sekretet e testit atëherë ndëshkimi është prej një mijë deri në tre mijë euro, si dhe pasojnë masat disiplinore deri te ndjekja penale nëse është e përshtatshme një gjë e tillë”, ka deklaruar Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i Arsimit.

Zëvendësministri Pupovci, në konferencën e rregullt për media, ka paralajmëruar mbikëqyrje të rrjeteve sociale, të cilat shumë nxënës vazhdimisht i kanë përdorur për të kopjuar.

“Do t’i monitorojmë me kujdes të gjitha grupet që janë krijuar në rrjete sociale, duke ndërmarrë hapa ndaj nxënësve që eventualisht ndaj nxënësve që eventualisht do ta shpërndajnë testin, respektivisht administruesve që lejojnë një gjë të tillë. Shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë prindërit të bëjnë kujdes në raport me fëmijët e tyre që të mos përballen pa nevojë me ndëshkime”, ka thënë ai.

Për të kaluar provimin, maturantët duhet t’i kenë së paku 40 përgjigje të sakta.

“Edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, kemi vendosur që testi të organizohet vetëm në një ditë, do të thotë edhe lëndët e përgjithshme, edhe lënda me zgjedhje janë në të njëjtën ditë me gjithsej 100 pyetje. Janë katër lëndë, tri lëndë të përgjithshme, gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë, dhe një lëndë që e zgjedh vetë nxënësi”, është shprehur Fatmir Elezi, shef i divizionit për vlerësim në Ministrinë e Arsimit.

Provimi do të mbahet në 177 qendra me nga 15 nxënës në klasa, ndërsa në organizimin e tij do të angazhohen mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës dhe mbi 200 vëzhgues nga shoqëria civile.

Rezultatet e provimit të maturës do të publikohen më 5 korrik.