Arbëri

Paralajmërohet grevë, kërkohet që punëtorëve teknikë t’u njihet statusi i shërbyesve civilë

Punëtorët teknikë që punojnë në institucionet publike, por që menaxhohen përmes kompanive private, tash e një kohë po kërkojnë rritje të pagave. Megjithëse deri tash kanë organizuar protesta e greva, nuk kanë është arritur që të bëhet zgjidhje për ta. Në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat si zgjidhje të vetme për këtë e shohin njohjen e statusit të shërbyesve civilë.

Ardona Popova

Për Naime Cubajn është e pamundur që ta mbajë familjen e saj 7-anëtarëshe me një rrogë prej 270 eurosh në muaj.

Ajo tash e 20 vjet punon si punëtore teknike në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë. Shprehet e zhgënjyer me kushtet e punës dhe trajtim jo të barabartë.

“Ata premtimet na i kanë dhanë që prej 1 shtatorit me na u rrit rrogat, mirëpo kjo nuk është zgjedhje sepse me 270 euro s’mundesh me mbajtë familjes”, tha Cubaj.

Shkaku i pagave të vogla këta punëtorë kanë paralajmëruar të futen serish në grevë nga 3 shtatori.

Por, si zgjidhje për këta punëtorë që punojnë në disa institucione e që menaxhohen nga kompani private po shihet njohja e statusit të shërbyesve civilë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se nëse bëhet kjo, këta punëtorë do të kalonin në listën e pagave që paguhen nga buxheti publik.

“Privatizimi i këtyre punëtorëve është i jashtëligjshëm sepse ne kemi kërkuar një vendim nga Ministria e Drejtësisë  që a ka vendim sepse ka të gjithë kanë qenë punëtorë të institucioneve komunale dhe shtetërore dhe nuk ka vendim që janë privatizuar. Realisht një pjesë e këtyre punëtoreve janë kthyer në kuadër të drejtorive të shërbimeve komunale. Kjo ka ndodhur në Pejë dhe Vushtrri mirëpo në vendet tjera kjo nuk ka ndodh. Përderisa bëhet rreth rrotullimi i mjeteve nga institucionet tek kompanitë private dhe anasjelltas, ekziston mundësia e keqpërdorimit që të mjeteve ose më mirë të themi ekziston mundësia e korrupsionit”, tha Azemi.

Edhe eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, ka kërkuar që shërbimet e pastrimit, mirëmbajtjes dhe sigurimit të kthehen në përgjegjësinë e institucioneve publike.

“Punëtorët teknikë konkretisht institucionet publike i kanë dorëzuar në duart e kompanive private, të cilat shpeshherë as shërbimet nuk i kryejnë siç duhet dhe as punëtorët nuk i trajtojnë siç e parasheh Ligji i Punës. Ankesat e vazhdueshme që kanë ardhur nga këta punëtorë na bëjnë të kuptojmë se ky modeli i “outsourcing” të këtyre shërbimeve tek kompanitë private nuk ka funksionuar siç duhet. Kjo duhet të ndryshojë duke i kthyer këto shërbime në përgjegjësinë e institucioneve publike. Këtyre punëtorëve duhet t’u njihet statusi i shërbyesve civilë dhe të njëjtit do të duhej të kalonin në listën e pagave që paguhen nga buxheti publik. Rrjedhimisht duhet t’u njihen të gjitha të drejtat që i gëzojnë të gjithë punëtorët sipas Ligjit të Punës”, tha Jakurti.

Ai shton se papunësia e lartë, varfëria, si dhe rreziku për ta humbur vendin e punës ka bërë që punëtorët të bëjnë kompromis duke pranuar edhe shkeljen e të drejtave të tyre.

“Janë dy faktorë që ndërlidhen me njëri-tjetrin e që e kanë mundësuar cenimin e dinjitetit të punëtorëve në Kosovë. Për shkak të papunësisë së lartë dhe varfërisë si pasojë, rreziku për ta humbur vendin e punës ka bërë që punëtorët të bëjnë kompromis duke pranuar edhe shkeljen e të drejtave të tyre dhe mungesën e kushteve të duhura të punës. Si pasojë ka munguar edhe organizimi i tyre sindikal përmes së cilit do ta rrisnin fuqinë negociuese me punëdhënësit.”

Mbi një mijë punëtorë teknikë dhe të sigurimit nga qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, shkollave të mesme, shkollave fillore, Universitetit të Prishtinës, të QKUK-së dhe Kuvendit të Kosovës po kërkojnë rritje të pagave nga 275 në 405 euro.