Arbëri

Paralajmërimi dhe zmbrapsja nga hapja e urës qendrore në Mitrovicë

Pa Milan Radojçiqin të cilin vazhdon ta strehojë Serbia, situata në veri vijon të jetë e tensionuar dhe për këtë u fajësua Qeveria e Kosovës për shkak të vendimeve që lidhen me këtë pjesë. Zhvillimet rreth urës qendrore të Ibrit në Mitrovicë rikthyen shqetësimet për sigurinë. Ky vendim nxiti protesta të serbëve lokalë të cilët e konsideruan këtë hap si kërcënim për sigurinë e tyre. Pas kundërshtimit të ndërkombëtarëve qeveria u zmbraps nga mësymja për ta hapur urën në 2024-tën

Tema e simbolit të ndarjes së qytetit të Mitrovicës, ura qendrore mbi lumin Ibër u rikthye këtë vit nga kryeministri Albin Kurti.

Pasi ai në qershor 2024 njoftoi se ka ardhur koha që ura të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve, kjo nxiti reagim të fortë ndërkombëtar e protesta të serbëve lokalë të cilët këtë veprim e panë kërcënim për sigurinë e tyre.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, pati thënë Kurti.

Përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së shprehën shqetësim lidhur me kohën dhe mënyrën e realizimit të këtij vendimi.

Ata kërkuan që hapjes së urës t’i paraprijnë konsultimet me të gjitha palët e përfshira në dialogun e Brukselit, për të shmangur eskalimin e situatës.

Madje ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti.

Tek kishte folur për mungesën e koordinimit rreth hapjes së urës, Hovenier, pati deklaruar se ndryshimi i statusit aktual të saj do t’i rrezikonte pjesëtarët e KFOR-it, përfshirë ata amerikanë.

“Më duhet të them se jemi sfiduar nga kryeministri dhe qeveria e tij, dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut”, pati deklaruar Hovenier në gusht.

KFOR-i, që ka prani 24 orë shtatë ditë në javë mbi urë, paralajmëroi se është i gatshëm të ballafaqohet me këdo që tenton ta hapë atë, pa koordinim paraprak.

Këtë e dëshmuan edhe me forcim të patrullave pranë urës.

Vizita e drejtorit të CIA-s në Kosovë, William J. Burns u pa si përpjekje për t’i adresuar tensionet e krijuara rreth urës dhe që vendimi i qeverisë kosovare të mos shkaktonte destabilizim në rajon.

Vizita shënoi një moment të rëndësishëm, pasi insistimi për hapjen e urës u hoq nga diskursi ani pse e kaloi testin që ia bënë autoritetet sa i përket qëndrueshmërisë.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit është pjesë e dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian - ajo e vitit 2015 dhe 2016.

Punët për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër të cilat ishin financuar nga BE-ja kanë përfunduar prej vitesh, por që ajo nuk është hapur asnjëherë për qarkullimin e veturave.

Ura mbi lumin Ibër, apo siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 214 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve.

Pamja e urës ka ndryshuar ndër vite. Nga gurët e zhavorri, pastaj pishat e të ashtuquajturit “Park i paqes” dhe muri i lartë dy metra, hapësira përreth urës ishte transformuar në shëtitore.

Por nuk është larguar edhe pengesa e fundit, për lëvizjen e lirë të automjeteve.