Arbëri

Parafushata “e dëmshme” për institucionet

Fushata elektorale e hershme e agresive e përfaqësuesve politikë, po vlerësohet se do të ndikojë negativisht në punën e Kuvendit. Njohës të rrethanave politike thonë se gjuha e ashpër sidomos e pushtetit me partitë në opozitë, do ta lërë Kuvendin pa përmbushje të agjendës legjislative e pa ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, me vlera miliona euro

E hershme, agresive dhe e dëmshme për punën e institucioneve vlerësohet fushata elektorale e partive politike për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.

Njohës të çështjeve politike thanë se ashpërsimi i gjuhës së përfaqësuesve partiakë e sidomos e atyre në pushtet ndaj opozitës, do të ndikojë në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit. 

Analisti Arbnor Sadiku thotë se deri në zgjedhje ka kohë edhe disa muaj, për të cilat Vetëvendosje nuk duhet ta rrezikojë funksionimin e punës së legjislativit, meqë ka një varg marrëveshjesh ndërkombëtare me vlerë miliona euro që s’mund të kalojnë pa ndihmën e subjekteve në opozitë. 

“Nuk e shoh si serioze ndoshta për opozitën, sepse le të themi opozita nuk ka edhe çfarë të humbë, por është ndoshta me disa shqetësime për pozitën, sepse ata kanë nevojë për disa vota të partive opozitare që janë në Kuvendin e Kosovës veçanërisht për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Sadiku.

E njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se opozita e ka nisur më herët këtë fushatë meqë dëshiron të shfrytëzojë momentumin politik që, sipas tij, po karakterizohet me disa afera të Qeverisë.

“Arsyeja pse tash kemi një gjuhë më të ashpër në diskursin politik është sepse tash Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje është më e cenueshme për shkak të largimit të disa deputetëve nga grupi parlamentar, por po ashtu edhe për shkak të disa aferave që kanë dalë kohëve të fundit, prandaj edhe opozita konsideron që tash është momentumi i duhur që në këtë dobësim të Lëvizjes Vetëvendosje t’i shtohet edhe agresiviteti opozitar”, ka thënë Muhaxhiri.

Përveç efekteve negative në konsensusin e brendshëm politik për çështje nacionale, njohësit politikë thonë se gjuha e partive politike sado që do të ashpërsohet nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e partive pas zgjedhjeve nëse do të kenë nevojë për koalicione me njëra-tjetrën.

“E kaluara e ka treguar se partitë politike veçanërisht në fushatë kanë pasur pak më shumë sulme ndaj njëra-tjetrës, pastaj kur janë kthyer zgjedhjet kanë bashkëpunuar njëra me tjetrën veçanërisht në të kaluarën PDK-ja me LDK-në. Dhe tani besoj që Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë të nevojshme bashkëpunimin dhe për ta bërë shumicën i duhet ndonjëra prej këtyre partive opozitare”, ka thënë Sadiku.

Në këtë frymë ka folur edhe Muhaxhiri.

“Partitë politike i harrojnë të gjitha akuzat, ofendimet, kritikat e mëdha ndaj njëra-tjetrës kur vjen momenti i krijimit të koalicioneve qeveritare, edhe kështu besoj që do të ndodhë edhe pas nëntë shkurtit”, ka thënë ai.

Ndonëse zgjedhjet janë pas tre muajsh, liderët e partive politike e kanë nisur parafushatën elektorale dhe prezantimin e programeve qeverisëse.