Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka vizituar urën e Ibrit në Mitrovicë, pasi takoi përfaqësues politikë të komunitetit serb.
Terras s’ka folur për mediat, derisa pritet ta vizitojë edhe kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, raportoi RTK-ja të martën.
Ai është takuar një ditë më parë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Lista Serbe i ankohet raportuesit për Kosovën në PE “për dhunën nga Kosova”
Zyrtarë të Listës Serbe i janë ankuar raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, për siç tha ai “dhunën që po ushtron regjimi në Prishtinë”.
Terras u takua të martën me këtë subjekt politik, derisa kjo parti e serbëve lokalë shkroi në Facebook se kërkuan themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb.
“Kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të insistojë në respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara, veçanërisht kur bëhet fjalë për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, dhe t’i mbrojë të drejtat e popullit serb që dëshiron të jetojë në paqe, në vatrat e tyre shekullore”, thuhet në reagimin e tyre.
Kjo parti u ankua edhe për “incidentet që po ndodhin çdo ditë”.