Shqipe Pantina e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se nuk mund t’i thuhet asgjë kryeministrit Albin Kurti për punët në fushën e shëndetësisë, pasi nuk ka premtuar asgjë.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Pantina ka thënë se kur është pyetur Kurti se si do të zgjidhet problemi me shëndetësinë, nuk ka ofruar asnjë alternativë.
“Ju kujtohet cila ka qenë përgjigja e kryeministrit për shëndetësinë? E mbani mend? Në këto kohë kam kaluar bukur kohë nëpër Qendrën Klinike Universitare, e patën pyetur se si do ta zgjidhni problemin me shëndetësinë dhe thoshte: ‘e keni parë një qen tapall që është endur nëpër QKUK? Nuk do ta shihni më’. Kjo a qenë përgjigja. Sot nuk di as si t’i thuash se çfarë ke bërë për shëndetësinë, sepse as nuk ka premtuar asgjë”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka folur për populizmin, që sipas saj, e ka përdorur partia në pushtet, duke thënë se është njësoj sikurse mjekët popullorë që ofrojnë zgjidhje të thjeshta për probleme të mëdha, si ofrimi i çajeve të ndryshme për shërimin e kancerit.
“Kur e pyetët Dafinën se çfarë janë populistët, a e dini se çfarë janë? Janë sikur këta mjekët popullorë, të cilët i promovojnë disa çaje që shëron kancerin. Mjeku 20-30 vjet bën hulumtime, studion se si të luftohet, ata dalin dhe thonë se ai çaj ta shëron kancerin. Kështu janë populistët. Të ofrojnë zgjidhje të thjeshta për probleme shumë të komplikuara. Ky është problemi apo dëmi më i madh që Vetëvendosja i ka shkaktuar këtij vendi.
Sopi: SHBA-ja e Evropa e shohin Serbinë si xhandar të Ballkanit, ne jemi periferia
Analisti i emisionit “Konfront”, Agim Sopi, ka deklaruar se Serbinë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin si “xhandar të Ballkanit”.
Ai ka deklaruar se Serbia shihet si shteti kryeor me të cilin dueht biseduar, derisa Kosova “është periferia”.
“Serbinë e shohin si shtetin kryesor me të cilin duhet të bisedohet, ne jemi periferia. A ka bërë Kurti mirë që ka shtruar sovranitetin policor në veri, ka bërë shumë mirë. A ka bërë mirë që e ka dëbuar Radoiçiqin, absolutisht po. E ka përkrahjen...por çka ka ofruar Kurti përtej shtrirjes së sovranitetit. Kurti vetëm i ka zbatuar marrëveshjet si vendim për Asociacionin që do të krijohej më vonë”, është shprehur Sopi.
Pantina: Disa opozitarë po përdorin gjuhë populiste, por këtu Kurti është mjeshtër
Pantina ka thënë të enjten në emisionin “Konfront” të KTV-së se Kurti e bën më së miri gjuhën populiste.
“Disa nga liderët po mundohen ta përdorin gjuhën populiste për të kundërshtuar Kurtin, e kjo mendoj se është gracka, pasi Kurti këtë e bën më së miri dhe është vështirë ta mundin. Ata (opozitarët) duhet të tregojnë si riparojnë raportet e Kosovës, pa e sulmuar Kurtin me lloj-lloj tema që nuk i shkojnë në llogari atyre..”, ka thënë ajo.
Ukaj: Të gjitha veprimet e Kurtit në veri janë për konsum politik, po e keqpërdor momentumin
Analisti politik, Fidan Ukaj, ka thënë se të gjitha veprimet e kryeministrit Albin Kurti në veri të vendit janë për konsum politik.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Ukaj ka thënë se Kurti po e keqpërdor momentumin.
“Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, fushatën elektorale ka më shumë se një vit që e ka filluar. Kur them kështu kam parasysh veprimet, që faktori ndërkombëtar po i quan veprime të njëanshme, e që u vërtetua së fundmi me këtë videon që u shfaq, ku pasqyrohen të gjitha veprimet, mbylljet e objekteve komunale, që do të duhej të ishin veprime profesionale të institucioneve, e jo ministri Sveçla të shkojë para Policisë dhe prokurorit të rastit ta mbyllë komunën. Kjo tregon më së miri se Lëvizja Vetëvendosje e kryeministri Kurti këtë fushatë e kanë menduar, po e vazhdojnë e e kanë argumentuar me videon që e kemi parë se të gjitha veprimet kanë qenë për konsum elektoral, e po ashtu diskutimet e paralajmërimet se këto janë paralajmërime populiste. Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri Kurti po e keqpërdor çdo momentum. Na ka futur në konflikt edhe me faktorin ndërkombëtar, kemi sanksione për herë të parë. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës që Kosova të ketë sanksione”, ka thënë ai.