Arbëri

Palokaj: S’pritet të ketë lëvizje të shpejta për arritje të marrëveshjes për dinarin

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se nuk pret lëvizje të shpejtë të palëve në procesin e dialogut sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e dinarit. 

Në një lidhje direkte nga Brukseli për “60 Minuta” të KTV-së, Palokaj ka thënë se lëvizje nuk pret në këtë kohë as nga Kosova për shkak të konfrontimit të fundit me bashkësinë ndërkombëtare. 

Sipas tij, ajo që mund të pritet në këtë kohë është “vetëm disa postime në rrjete sociale të emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për ta arsyetuar rrogën në muajt e fundit të punës së tij në këtë post”.

“Unë nuk pres asgjë. Lajçaku së paku një herë në javë do ta bëjë nga një postim sepse i kanë mbetur edhe tre muaj, duhet ta arsyetojë rrogën për këta muaj që nuk është e vogël. Nuk pres lëvizje të shpejtë, nuk pres një lëvizje të shpejtë as nga Kosova në një kohë kur tash Kosova ka hyrë me vetëdije në një konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai. 

Palokaj ka shtuar se kritikat e BE-së ndaj veprimeve të Kosovës gjithnjë janë më të ashpra kur SHBA-ja është e para që kritikon ato veprime. 

“Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të parat që kritikojnë atëherë nga vendet evropiane dhe BE-ja mund të pritet kritikë edhe më e ashpër, sikur që ishte puna e masave kur SHBA-ja dhe Shqipëria ishin të parat që nisën masat ndaj Kosovës e pastaj ato u pasuan me masa shumë më të ashpra të BE-së, që mbetën në fuqi dhe vazhdojnë të jenë edhe tash”, është shprehur ai.