Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj ka thënë se nuk shihet ndonjë entuziazëm që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen shumë shpejt.
Derisa ka folur për raportin lidhur me masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilin kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së, Palokaj ka deklaruar përshtypja është që masat nuk do të hiqen shpejt përkundër që sipas tij, ka një numër të madh të vendeve të BE-së që do të donin që kjo të ndodhte.
“Përshtypja është që një numër i madh i vendeve anëtarë të BE-së do të donin që masat të hiqeshin, por nuk shihet ndonjë entuziazëm që kjo të ndodhë shumë shpejt, prandaj është vështirë të parashihet se çfarë do të ndodhëm është shprehur Palokaj të martën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ai ka thënë se bazuar në raportin e Borrellit për masat që i janë vendosur Kosovës një vit më parë, të mërkurën pritet që të zhvillohet një diskutim në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së.
Sipas Palokajt aty do të shihet cili është disponimi i vendeve anëtare dhe cilat do të jenë veprimet e ardhshme.
Ai ka thënë se për përmbajtjen e raportit nuk mund të spekulohet. “Nuk mund të spekulojmë për përmbajtjen e tij, por bazuar në debatet që janë zhvilluar më herët ishte dilema nëse duhej të hiqeshin të gjitha masat, apo duhej të hiqeshin gradualisht një nga një, Por ky disponim ishte para se të mbylleshin filialet e Bankës Postare serbe në veri, veprim që ishte kritikuar edhe nga ana e SHBA-së edhe nga ana e Bashkimit Evropian, nuk e dimë se sa ka ndikuar kjo në këtë raport”, është shprehur Palokaj.
Palokaj: Lajçaku po përpiqet të organizojë një takim Kurti- Vuçiq e të arsyetojë vendin e punës
Palokaj ka folur edhe për vizitën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të martën në Kosovë.
Derisa ka përmendur edhe takimin e Lajçakut me kryeministrin e Serbisë, Milosh Vuçeviq, të zhvilluar të hënën, duke thënë se veprimet e Lajçkut janë për ta arsyetuar vendin e tij të punës e ndoshta mundësisht për të organizuar një takim të niveli të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Lajçaku është në postin e të dërguarit të posaçëm dhe nuk është se ka ndonjë veprim konkret pasi që nuk është se ka takime në kuadër të dialogut, ka kaluar më shumë se gjysmë viti në kuadër të dialogut, pos disa takimeve që kanë pasur për çështjen e dinarit apo ndonjë temë tjetër dhe tash kur është mësuar se ai do të jetë në këtë post derisa të mos caktohet pasardhësi i tij, ai dëshiron të lë përshtypje se është duke punuar, duke bërë përpjekje për takime të radhës, për të vënë në rend dite tema të ndryshme që shqetësojnë palët dhe ka pritje në disa qarqe të BE-së që mundësisht, së paku një takim tjetër të nivelit të lartë të organizohet para se Lajçaku të largohet nga ky post”, është shprehur Palokaj.
Megjithëktë ai ka thënë se nuk shihet vullnet as nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti e as nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të zhvillojnë ndonjë takim.