Arbëri

Palokaj për mos-heqjen e masave: Kosovës po i forcohet argumenti se BE-ja nuk është e drejtë

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj, korrespodent i KOHËS në Bruksel, ka deklaruar se mos-heqja e masave ndaj Kosovës po e forcon argumentin se Bashkimi Evropian nuk është i drejtë, duke shtuar se disa shtete ende insistojnë për të mos hequr ato.

Ai ka deklaruar të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se Kosova vazhdon të jetë palë e ndëshkuar, jo vetëm në aspektin e masave, por edhe në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Sipas Palokajt, trazirat e majit të 2023-s dhe ato të shtatorit i kanë shkaktuar këto masa.

“Ndonëse masat s’kanë të bëjnë me dialogun, Kosova është palë e ndëshkuar me trazirat në maj dhe ato që kanë ndodhur në shtatorin e vitit 2023. Ndërkohë, edhe pse s’ka ndërmarrë masa ndaj kryerësve të dhunës, Serbia s’është ndëshkuar fare. Kjo është brenga e shumë shteteve që vazhdojnë të kërkojnë heqjen e masave, por disa shtete duhet përmendur që insistojnë që të pritet”, ka thënë Palokaj.

Ai ka shtuar se është e padrejtë dhe e pakuptueshme pse Kosovës nuk po i hiqen masat.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Palokaj ka thënë se Kosova mbeti jashtë vargut të vendeve të Ballkanit Perëndimor që nisën negociatat për anëtarësim në BE. Sipas tij, Mali i Zi dhe Shqipëria mund të inkuadrohen më shpejtë për shkak se s’kanë konteste të pazgjidhura territoriale.

“Tashmë janë pajtuar në BE që këto duhet të shkojnë paralele. Të vazhdojnë negociatat me vendet kandidate. vetëm Kosova është vend potencial, të tjerët me potencial. BE-ja duhet të bëjë reforma nga aspekti administrativ e financiar për t'u zgjeruar. Kjo është përfillur, po shkojnë paralel e s’mundet një palë të jetë gati e tjetra jo. Reale është nëse pyeten diplomatët që Mali i Zi e Shqipëria të bëhen anëtarë pasi s'kanë konteste të pazgjidhura që kanë të bëjnë me territore. Nuk është reale të pritet që i tërë Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së”, ka thënë ai.

Palokaj ka shtuar se pengesë për Kosovën që të marrë statusin e vendit kandidat është mosnjohja e pesë vendeve.

Derisa foli për Sudanin dhe Keninë që së fundmi njohën Kosovën, korrespodenti i KOHËS ka deklaruar se vendet perëndimore “moti e kanë ndaluar lobimin për njohje”.

Sipas tij, Kosova prej 2008-s ka institucione që do të duhej të lobonin në botë për njohje.

“Turqia është një prej akterëve që ka ndikuar në sigurimin e njohjeve për Kosovës. Shumica e madhe e njohjeve kanë ardhur nga miqtë e Kosovës: SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Turqia. Sidomos Turqia në vendet e lindjes së mesme. Por, Perëndimi moti e ka ndalur lobimin për njohje. Sidomos SHBA-ja”.