Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se në të ardhmen e afërt nuk pritet të ketë takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut.
Palokaj ka theksuar se derisa shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të vendosë se si do të vazhdojë me dialogun dhe pa përfunduar zgjedhjet në Kosovë, nuk pritet të ketë takim të tillë.
Palokaj dha detaje edhe për atë që u diskutua gjatë takimeve të sotëm të Kallasit me liderët e Ballkanit.
“Kallasi e bëri të qartë për të dy shtetet se rruga drejt BE-së është zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Ajo përshëndeti gatishmërinë e dy shteteve për ta hetuar sulmin terrorist në Ibër-Lepenc dhe autorët të nxirren para drejtësisë. Takimet e sotme ishim më shumë për të diskutuar situatën në rajon, marrëdhëniet e BE-së me këto vende dhe përgatitja për samitin e 18 dhjetorit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo duhet të vendosë se si e sheh procesin e dialogut, nëse do të caktojë pasardhës të Lajçakut. Pa këtë dhe pa përfunduar zgjedhjet në Kosovë, nuk pritet të ketë takim të nivelit të lartë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Edhe më të vështirë parashikimin për takim të nivelit të lartë e bëjnë tri kërkesat e Kurtit, sipas Palokajt.
Kurti ka kërkuar që të nënshkruhet marrëveshja bazike, Serbia ta tërheqë letrën e Bërnabiqit dhe që Radoiçiqi t’i dorëzohet Kosovës, në mënyrë që ta takojë Vuçiqin.