Arbëri

Palokaj: Në BE s'ka vullnet të madh për heqjen e masave, Scholzi e Macroni janë dobësuar politikisht

Augustin Palokaj - KTV

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se nuk duhet se ka vullnet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për t’ia hequr masat sanksionuese Kosovës. Ai ka deklaruar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se dikur kishte më tepër vullnet për heqjen të masave, e sipas Palokajt, derisa QUINT-i ka fjalën kryesore “mund të ketë pasoja në proceset ku gjendet Kosova”..

“Si duket vullneti politik në Komisionin Evropian për t’i hequr masat së paku s’është i madh sa ishte kur u vendosën para një viti...Mund të jemi të vetëdijshëm se mund të ketë pasoja në proceset ku është Kosova, e në anën tjetër vendet e QUINT-it kanë fjalën kryesore”, ka thënë ai, duke shtuar se çështjet si themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe pati krijuar moskuptim të qartë.

Palokaj ka deklaruar se partia e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe ajo e presidentit francez, Emmanuel Macron, kanë pësuar humbje të madhe të mbështetjes në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, e kjo sipas tij, mund të ndikojë edhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Nuk shoh hapësirë për përparim (në dialog) pas goditjes së Macronit dhe të Scholzit që pësuan dje në zgjedhje...Mbështetja për partitë e tyre ka rënë në 15 për qind, e ata persona janë të vetmit që kanë bërë presion ndaj palëve e ndaj BE-së për procesin e dialogut. Tash janë dobësuar politikisht, nuk shoh se do të kenë vullnet të merren me Kosovën e Serbinë”, ka thënë korrespodenti i KOHËS.

Palokaj ka shtuar se Miroslav Lajçak do të vazhdojë të jetë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi deri në zgjedhjen e një të riut “me qëllim që procesi të mos ketë vakum”. Por, ai ka thënë se pos tentativës për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, “nuk besoj se do të ketë mundësi më  të madhe në procesin e dialogut”.

Ai foli edhe për të ardhmen e dialogut se si do të ndikohet nga partitë e reja që do të vijnë në pushtet në BE-.

“Do të ketë insistim që të sqarohet nëse ka marrëveshjes apo jo mes Kosovës dhe Serbisë, por pala kosovare po qortohet se s’po i zbaton obligimet si themelimi i Asociacionit, e Serbia nuk qortohet. Kemi pozicion në dialog, prandaj edhe i interesi i bashkësisë ndërkombëtare është të mos ketë lëvizje në terren që mund të eskalojë situatën. Jemi në fazën tranzitore në Bashkimin Evropian”, tha ai.