Arbëri

Palokaj: Hapja e Urës së Ibrit do t’i kthente shumë shpejt masat ndëshkuese të BE-së

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se edhe po të vendosej për heqjen e plotë të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, sipas burimeve diplomatike, hapja e mundshme e Urës së Ibrit do t’i kthente sërish ato.

Në një lidhje direkte për “Interaktiv” në KTV, Palokaj ka thënë se mosbesimi ndaj autoriteteve të Kosovës është rritur. 

“Skepticizmi ndaj autoriteteve të Kosovës, sipas burimeve diplomatike, është rritur pasi që është përmendur mundësia e hapjes së Urës mbi lumin Ibër që BE-ja dhe SHBA-ja në atë moment që BE-ja vendos t’i heqë masat, do t’i kthente shumë shpejt. Pra, formalisht nuk janë të lidhura me dialog, por në BE asnjëherë nuk ekziston vetëm një arsye për një veprim, por janë edhe disa arsye që nuk përmenden në publik”, ka thënë ai. 

Derisa ka folur për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për “Euroneës Albania” se Kosova nuk po ballafaqohet me masat ndëshkuese të BE-së, ai ka thënë se një deklaratë e tillë është e papërgjegjshme.

“Nëse ka thënë ashtu, atëherë është vërtetë një deklaratë shumë e papërgjegjshme e një anëtari të Qeverisë. Ministria e Brendshme ndoshta nuk i sheh pasojat. Është pak më e përgjithësuar. Kosova nuk ka qaseje në fondet e IPSA-s dhe pasojat janë shumë të rënda për Kosovën, prandaj thashë se nëse e ka thënë në këtë mënyrë është një deklaratë e papërgjegjshme sepse Kosova ka pasoja serioze nga masat, por nëse ka menduar se Kosova nuk e kupton se çfarë po ndodh me heqjen e tyre, atëherë ai ka të drejtë ta thotë këtë sepse në të vërtetë është e pakuptimtë që pas më shumë se një viti ndaj Kosovës të ketë masa”, ka theksuar ai. 

Sipas tij, BE-ja ka qasje të pabarabartë në raport me Kosovën dhe Serbinë.

“Ka shumë gjëra për të cilat BE-ja nuk shprehet në mënyrë të qartë. Prandaj, në rrethanat që ndaj Kosovës mbahen masat dhe nuk ka masa ndaj Serbisë, krijohet një disbalanc në qasjen e BE-së, nuk ka qasje të balancuar dhe kjo e bën edhe më të vështirë rolin e Bashkimit Evropian në procesin e dialogut si një lehtësues i paanshëm. Bashkimi Evropian është i njohur për keqpërdorimin e rrethanave. Ta zëmë, nëse duan t’i heqin masat do të thonë se po i heqin masat sepse kështu ka rekomanduar Borrelli, nëse nuk i heqin do të thonë se nuk janë përmbushur të gjitha kriteret”, ka thënë ai.