Arbëri

Palokaj e quan naivitet pritjen që Kosova të bëhej anëtare e KiE-së pa kushtin e Asociacionit

KIE Augustin Palokaj

Augustin Palokaj, korrespodent i KOHËS në Bruksel, e ka quajtur naivitet pritjen që Kosova të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës të premten e 17 majit pa e plotësuar kushtin e kërkuar për dërgimin e draftstatutit evropian të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka thënë se mospërfshirja e çështjes së Kosovës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Jashtëm të kësaj organizate të premten ka qenë gjë e pritur. 

“Ekzistonin dy mundësi ose ta dërgojë e të jetë në rend dite, ose të mos e dërgojë e të mos jetë. Opsioni më radikal ishte të jetë në rend dite e të mos kishte vota”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së. Palokaj ka thënë se është naivitet i autoriteteve të mendohet se pas gjithë komunikimeve publike e personale me kërkesën e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian për Asociacionin, të mendohet se me një letër nga ministrja e Jashtme në ditën e fundit të ndërrohet mendja për mospërfshirje në agjendë.

Ai ka thënë se edhe letra e ministres Donika Gërvalla ka qenë me adresë të gabuar sepse i është drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare, trupë që veçse ka kryer procedurën e se nuk ka pasur ndikim te ministrat e vendeve anëtare.

Palokaj ka thënë se edhe deklaratat që mund të ketë takime të jashtëzakonshme ishin “hapa për ta relativizuar dështimin”. Sipas tij, ky dështim është i Kosovës, por mbi të gjitha i Gjermanisë që konsiderohej shtytësja më e madhe e Kosovës.

Ai tutje ka thënë se është shumë e vështirë që Komiteti i Ministrave të ketë takim të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës. Pos procedurave të zorshme, ai ka thënë se gjasat për mbledhje të jashtëzakonshme mund të jenë vetëm nëse Kosova e çon draftin në Kushtetuese apo që shtetet e fuqishme të thonë se kanë gabuar. “Kjo është pritje paksa naive”, ka thënë ai.

Mungesën e koordinimit mes liderëve institucionalë të Kosovës për letrën e Gërvallës për zotimin për draftstatutin e Asociacionit, Palokaj e ka vlerësuar dramatike e tragjike.

Ai ka thënë se dialogu me Serbinë është duke e humbur kuptimin sepse po shndërrohet në pengesë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. 

Të enjten, Kosova nuk e kaloi hapin e fundit për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës (KiE). Me gjithë votimin e suksesshëm pro anëtarësimit që është realizuar në Asamblenë Parlamentare, çështja e Kosovës nuk është vendosur në agjendë të takimit të së premtes të Komitetit të Ministrave, trupë kjo që e ka në dorë vendimin final për anëtarësim në Këshill. Pengesë për t’u përfshirë në agjendë është bërë përcaktimi i Kosovës për të mos përmbushur kërkesën e tri prej shteteve kryesore të Bashkimit Evropian – Gjermanisë, Francës dhe Italisë – që ta përcjell në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ky draft formalisht nuk është pranuar nga autoritetet e Kosovës, por përmbajtja e tij ka nxitur kritika të mëdha në Kosovë. E një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nëpërmjet një letre adresuar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së, dha zotimin se deri në fund të muajit, Kosova do ta hartojë dhe dërgojë një draft në Kushtetuese, por jo atë të BE-së. Kjo është kundërshtuar nga ndërkombëtarët.