Arbëri

Palokaj: BE-ja e SHBA-ja kanë bërë çmos që ta shfajësojnë Serbinë për sulmin në Banjskë

Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se ka pasur një qëndrim shumë të çuditshëm të bashkësisë ndërkombëtare, e sidomos SHBA-së, sa i përket sulmit terrorist në Banjskë. 
Palokaj ka thënë se është bërë çmos që Serbia të mos ndëshkohet për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, në të cilin u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

“Qasja për Banjskën është shumë interesante. Ka një qëndrim shumë të çuditshëm të bashkësisë ndërkombëtare, e sidomos SHBA-së. Në njërën anë ka ndihmuar Kosovën të përballet me atë rast, e kjo është e vërtetë. Ka ndihmuar edhe me hetime. Por, në anën tjetër ka bërë çmos që Serbia të mos ketë pasoja për këtë. Do të thotë sa herë kemi pritur për pasoja për Serbinë, ka thënë të presim hetime. Tash kur doli rezultati i hetimeve e ka filluar procedura gjyqësore, thotë të presim procesin gjyqësor, e që mund të zgjasë. Është e qartë se ndoshta duan ta përdorin kundër Serbisë por pa e ndëshkuar atë”, ka thënë Palokaj në “Konfront” të KTV-së. 

Palokaj: Qasja e BE-së ndaj Kosovës pritet të ndryshojë, Borrell e Lajçak ishin të anshëm

Korrespodenti i KOHËS, Augustin Palokaj, ka thënë se qasja e strukturave të reja të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës pritet të ndryshojë.

Ndërkaq ka shtuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josip Borrell, dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë qenë të anshëm. Palokaj ka theksuar më tej se ndryshe nga këta të dy, zëvendësit e tyre pritet të kenë qasje tjetër.

“Borrell dhe Lajçak nuk kanë qenë të paanshëm dhe pres që strukturat tjera të jenë të paanshme të paktën”, ka thënë ai.


Palokaj: Dilemat për zbatimin e marrëveshjes i ka krijuar Serbia dhe i ka lejuar BE-ja

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se dilemat për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit i ka krijuar Serbia dhe janë lejuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, BE-ja ka bërë improvizime jo të mira dhe të rrezikshme lidhur me këtë marrëveshje.

“Dilemat për zbatimin e marrëveshjes i ka krijuar Serbia dhe i ka lejuar BE-ja, duke bërë improvizime jo të mira dhe të rrezikshme. Sepse kur u tha se u arrit marrëveshja, po atë ditë presidenti i Serbisë tha se nuk e ka nënshkruar, por as nuk e ka pranuar. Ai tha se ka pranuar një koncept për normalizimin e raporteve, për të cilin pati shtuar se shumicën e gjërave do t’i zbatojë, por disa jo dhe ka një letër që e kishte dërguar atëherë kryeministrja e Serbisë ku konstaton nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial të Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe e konsiderojnë Kosovën si pjesa të Serbisë”, ka thënë ai në “Konfront”.

Palokaj tutje bëri të ditur se BE-ja ende nuk ka dhënë sqarime lidhur me “letrën e Bërnabiqit”.

“Kryeministri i tashëm i Serbisë i ka dërguar një letër Komisionit Evropian se Serbia i qëndron prapa të gjitha obligimeve që ka marrë nga procesi i dialogut. Por ndjenja ishte se Serbia e ka bërë këtë pasi pret të përfitojë nga pakoja financiare e BE-së. Por nuk është deponuar një letër e Qeverisë së Serbisë e cila do të konstatonte se Serbia do t’i përmbushte obligimet nga marrëveshja e Ohrit. Prandaj nuk e dimë nëse letra është tërhequr apo jo”, ka shtuar ai.


Palokaj: Nga ajo që thuhet në Raportin e Progresit, nuk pritet të ketë heqje të masave ndaj Kosovës

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se në Raportin e Progresit nuk pritet të ketë heqje të masave ndaj Kosovës.

Sipas tij, arsyetimi që u bëhet vendosjes së masave tregon që vendet anëtare nuk kanë vullnet për heqjen e tyre.

“Ajo pjesa që flet për arsyet pse janë vendosur masat është shkruar në atë mënyrë që nuk shoh hapësirë që të hiqen. Sepse thuhet se Kosova ka vazhduar të ndërmarrë masa të njëanshme dhe të pakoordinuara që kanë potencial të rrisin tensionet në veri. Kur përdoret kjo gjuhë nga Komisioni Evropian, vendet anëtare sidomos nëse nuk e kanë vullnetin të gjitha që të heqin masat, do ta përdorin për të mos hequr masat”, ka thënë ai në “Konfront”.

Palokaj ka shpjeguar se vendet anëtare kanë treguar se me Kosovën janë në fazë kur nuk janë të sigurta për veprimet e ardhshme të saj, duke u përmendur në raport edhe paralajmërimi për hapjen e urës.

“Vendet anëtare kanë thënë se jemi në fazë në raportin me Kosovën ku nuk mund të jemi të sigurt se cilat do të jenë veprimet e ardhshme. Kur janë zbatuar këto pjesë të atij dakordimi BE-ja i ka parë disa hapa të tjerë të njëanshëm ndërkohë dhe thonë se ato po vazhdojnë, ka qenë edhe paralajmërimi për hapjen e urës. Kjo përmendet edhe në Raport të Progresit por me koordinim, marrëveshje dhe bashkëpunim. Prapë po mbahet një rezervë sa i përket veprimeve të Kosovës për disa vende anëtare”, ka theksuar ai.

Të mërkurën pritet që Kosova ta pranojë zyrtarisht Raportin e Progresit për këtë vit. Mes tjerash, në këtë raport është kërkuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet në bazë të propozimit evropian të draftstatutit.