Arbëri

Palokaj: BE-ja me qëndrime hipokrite ndaj Serbisë

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimi Evropian vazhdon të ketë qëndrime hipokrite kur bëhet fjalë për Serbinë. 

Derisa ka folur për takimin e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, Palokaj ka thënë se në njërën anë Serbisë i bëhet vazhdimisht thirrje për fokusim në integrim evropian, por nuk merren masa ndaj saj për sjellje të tilla si ajo e së mërkurës. 

“Kemi një vazhdim të qëndrimeve hipokrite të Bashkimit Evropian. Nga njëra anë, vazhdojnë për më shumë se dy vjet të bëjnë thirrje që Serbia të përshtatet me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe porosisin që Serbia nuk mund të ulet në dy ulëse, por po shohim se përveç fjalëve nuk ka asnjë veprim nga ana e Bashkimit Evropian për ta sanksionuar Serbinë për një sjellje të tillë”, ka thënë Palokaj.

Ai ka shtuar se në vizitën e paralajmëruar të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë, pritet të diskutohen zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë. 

“Zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë, pritet të jenë temë e diskutimeve. Ndonëse sa i përket vetë takimeve të dialogut, nëse vjen deri te një takim i tillë, atëherë në agjendë mund të futen temat për të cilat pajtohen që të diskutohen të dyja palët. E pala kosovare për disa çështje që lidhen me veriun ka thënë se nuk do të pranojë që ato të diskutohen në dialog. Gjithsesi e kemi të qartë situatën në të cilën jemi. Pakënaqësi e plotë e bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm e Bashkimit Evropian, por edhe e vendeve të QUINT-it e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e në anën tjetër kjo ka sjellë një situatë që nuk diskutohet më në Bruksel për heqjen e masave ndaj Kosovës dhe kjo po bëhet çështje e brendshme në Kosovë në prag të zgjedhjeve. Presim që Lajçak të diskutojë për këto çështje në Prishtinë, e pas atyre takimeve të shohim a do të ketë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel”, ka thënë ai.