Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar në procesin e dialogut asgjë nuk është e sigurt, duke shtuar se pret që të ndodhë takimi trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Ai ka shtuar se BE-ja ka një vegël në duar që do t’i shtynte dy vendet t’i normalizonin raportet, e kjo sipas Palokajt është pakoja ekonomike.
“Vështirë të ketë kthesë në dialog, por BE-ja ka një vegël në duar, e ajo është pakoja e BE-së për rritje ekonomike dhe forma në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën e Serbinë këto mjete janë të kushtëzuara me normalizimin e raporteve. Nuk pres ndonjë rezultat të madh sot”, ka shtuar Palokaj në “60 Minuta” të KTV-së të mërkurën.
Korrespondenti i KOHËS ka theksuar ky mund të jetë takimi i fundit para se të emërohen zyrtarët e rinj udhëheqës të institucioneve të BE-së. Ai ka shtuar se pritet të shihet si do të shkojë takimi, derisa ka përmendur se presidenti Vuçiq ka deklaruar se “nga Kurti nuk pret asgjë pos sjelljes teatrale”.
Palokaj: Vuçiqi pranoi për një takim të martën në Bruksel
Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar që të ketë një takim të martën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Palokaj njoftoi se Vuçiq është shprehur pas takimit me zyrtarët e Bashkimit Evropian “se Kurti s’ka pranuar ose s’ka guxuar të takohet me të”.
“Po presim të prononcohen për këto takime kryeministri Kurti dhe zyrtari evropian, Josep Borrell. I vetmi që ka folur ka qenë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ka thënë se ka qenë i gatshëm për takim me Kurtin, por Kurti s’ka dashur ose s’ka guxuar të takohet”, është shprehur Palokaj.