Arbëri

Pakënaqësi me ngecjet në proces, familjarët e Tetajt bojkotojnë seancat

Ka dështuar përsëri seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj, në të cilin i akuzuar është Shaban Gogaj. Në shenjë pakënaqësie me ngecjet e vazhdueshme në proces, familjarët e viktimës morën vendim që ta bojkotojë gjykimin deri në krijimin e rrethanave për ecuri të rregullt të procesit. E për thellimin e ngërçit kanë vazhduar fajësimet midis Këshillit Gjyqësor dhe avokatëve të caktuar, sipas detyrës zyrtare, për përfaqësimin e të akuzuarit

Në pakënaqësi me sistemin e drejtësisë, familjarë të Agonis Tetajt, të riut të vrarë rreth katër vjet më parë, vendosën që të mos marrin pjesë në seancën gjyqësore të së martës për rastin, të mbajtur në Gjykatën e Pejës.

Avokati i familjes, Berat Tmava, bëri të ditur se vendimi për bojkotimin e procesit do të vazhdojë krejt derisa trupi gjykues t’i përmbushë kushtet për zhvillim të rregullt të seancave.

Ngërçi në këtë proces është thelluar, pasi Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasje të rëndë, i refuzoi të gjithë avokatët e caktuar nga trupi gjykues, duke insistuar që mbrojtës i tij të mbetet Besnik Berisha, i cili qe përjashtuar nga rasti.

Shkaku i kësaj, avokatët e caktuar më pas janë tërhequr nga rasti.

E përderisa është pamundësuar zhvillimi i më shumë se 20 seancave gjyqësore për vënien e drejtësisë në vend rreth vrasjes së Tetajt, përplasjet verbale midis Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe avokatëve po thellohen.

Ditë më parë Këshilli Gjyqësor i bëri thirrje Odës së Avokatëve që të respektojë memorandumin e bashkëpunimit dhe të gjejë një zgjidhje për çështjen.

“Përsëri nuk ka një hapje të rrugës për zhvillimin e procesit gjyqësor në mënyrë normale. Të gjithë avokatët e angazhuar pranojnë detyrën e angazhimit, por gjithmonë në seancën e parë të caktuar nga ana e gjykatës gjejnë një justifikim, prej më të ndryshmeve, më të çuditshmeve, për t’u larguar nga rasti. Dhe për këtë kemi dështim të 20 seancave”, pati deklaruar Albert Zogaj, kryesues i KGJK-së.

Blerim Ademaj, avokati i fundit i caktuar për rastin nga gjyqtarja Violeta Hysaj-Rugova, i dërgoi një parashtresë gjykatës, nëpërmjet së cilës njoftoi mbi shkaqet e mospjesëmarrjes në seancë.

Ai e fajësoi KGJK-në se nuk po e zbaton marrëveshjen me Odën e Avokatëve, pasi cek se caktimin e tij, sipas detyrës zyrtare, e bën zyra koordinuese e OAK-së, e jo gjykatësi.

Në shkresën e siguruar nga KOHA thuhet se organet përgjegjëse nuk po veprojnë për ndriçimin e arsyeve të tërheqjes së avokatëve dhe të kanosjes së tyre prej të akuzuarit.

“Bllokues i këtij rasti është Këshilli Gjyqësor i Republikës së Kosovës, e jo Oda e Avokatëve të Kosovës, sepse asnjëherë deri më tani nuk diskutojnë dhe nuk e kërkojnë arsyen pse avokatët po tërhiqen, pse avokatët po kanosen dhe as nuk po reagojnë për këtë pjesë dhe nuk po kërkojnë nga organet kompetente të ndërmarrin veprimet e caktuar ligjore”, thuhet në shkresë.

E lidhur me shqetësimet e ngritura nga KGJK-ja, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga kryetari i OAK-së, Bujar Ejupi, porse ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Tetaj ishte vrarë më 23 shtator të vitit 2018, në vendin e tij të punës.