Arbëri

Pak shanse që BE-ja t’ia heqë sanksionet Kosovës

Jo të gjitha masat që Bashkimi Evropian ia kishte vendosur Kosovës vitin e kaluar pas tensioneve në veri, janë duke u zbatuar. Mes tjerash u patën pezulluar ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe. Megjithatë, liderë të institucioneve morën pjesë në samite të rëndësishme dhe zhvilluan takime bilaterale edhe për çështje përtej dialogut. Njohës të rrethanave thonë se kjo dëshmon që masat nuk janë edhe aq të efektshme megjithëse i kanë bërë dëm Kosovës

Shtete anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe institucione të saj nuk janë duke i zbatuar të gjitha sanksionet që në fillim ia patën vendosur Kosovës për shkak të situatës në veri.

Mes tjerash, masat përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime ishte thënë se do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Korrespodenti i “Kohës”, Augustin Palokaj, thotë se kjo pikë e masave nuk po zbatohet as nga vendet anëtare e as nga institucionet e BE-së.

“Sa i përket zbatimit të masave në pjesën që ka të bëjë me takimet bilaterale, ato nuk po zbatohen nga shumë vende anëtare dhe po shohim se në një mënyrë nuk po zbatohen as nga institucionet e Bashkimit Evropian, pasi që Kosova po merr pjesë në nivel më të lartë edhe në konferencat e ndryshme. Po ashtu, javën që vjen, Ursulla von der Leyen do të vizitojë Kosovën dhe do të takohet me krerët e shtetit të Kosovës, si me Kryeministrin, ashtu edhe me Presidentin edhe kjo dëshmon se po diskutohet dhe po zhvillohen takime edhe për tema që nuk kanë të bëjnë me depërshkallëzimin e situatës e as me dialogun”, thotë Palokaj.

Sipas tij, kjo dëshmon se pak a shumë masat nuk janë edhe aq të efektshme por në anën tjetër i kanë bërë dëm Kosovës.

“Gjasat për heqjen e masave ndaj Kosovës nuk janë shumë të mëdha, pasi që nuk ekziston një vullnet i sinqertë as nga institucionet e Bashkimit Evropiane as nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian, edhe vendet anëtare si Gjermania apo disa tjera, që janë shprehur se janë në favor të heqjes së masave nuk jam angazhuar në një mënyrë të posaçme që kjo vërtet të ndodhë. Prandaj, unë nuk pres që heqja e masave të ndodhë, edhe pse përfaqësuesi i lartë i BE-së e kishte rekomanduar një gjë të tillë”, ka shtuar ai.

Në margjinat e Procesit të Berlinit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim bilateral me  kancelarin gjerman Olaf Scholz, prej të cilit kërkoi mbështetje në largimin masave të BE-së. 

“Së bashku diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat Gjermania mund ta mbështesë Kosovën. Nga ai dhe Gjermania kryeministri Kurti kërkoi që ta mbështesë largimin e masave të BE-së, gjë që tashmë është kërkuar edhe nga vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell”, pati njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Kurti dhe liderë të tjerë shtetërore javët e fundit kanë pasur shumë me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së.

Por masat sanksionuese ndikuan në zbatimin e projekteve që BE-ja dhe Këshilli i Evropës ndanë për Kosovën.

Në prill të këtij viti, “Koha” pati raportuar se afro 7 milionë euro është vlera e projekteve që Kosova nuk mund t’i nënshkruajë me Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, përderisa mbeten në fuqi masat sanksionuese të Bashkimit Evropian. Në Këshillin e Evropës kanë thënë se mosnënshkrimi i projekteve në vitin 2023 me Kosovën ka ndikuar në performancën e përgjithshme të projekteve që kjo organizatë dhe BE-ja ndajnë bashkërisht për Ballkanin Perëndimor dhe partnerët e Evropës Lindore

Në qershorin e vitit të kaluar, BE-ja konfirmoi se  shtetet anëtare janë dakorduar t’i vendosin masa me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës, por duke mohuar se ato nuk janë sanksione. Ato u vendosën pas tensioneve në veri të Kosovës, për të cilat Kosova u mbajt përgjegjëse. Mes tjerash ato kanë edhe pasoja financiare për Kosovën. Sipas BE-së është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova edhe në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

Masa tjetër ka prekur edhe punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Edhe pse zyrtarisht Bashkimi Evropian pohon se masat ndaj Kosovës lidhen vetëm me hapat për uljen e tensioneve, “Koha” pati raportuar se heqja e tyre lidhet edhe me përparimin në procesin e dialogut.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në qershor kishte dorëzuar raportin e tij, përmbajtja e të cilit nuk është publike në Këshillin e Ministrave të BE-së. Vetë Borrelli kishte konfirmuar se e ka rekomanduar heqjen e masave. 

Disa diplomatë të BE-së patën pohuar për “Kohën” se “pengesë janë disa vende anëtare, sidomos ato që nuk e kanë njohur Kosovën”, por kanë përmendur edhe hezitimin nga Franca dhe Italia. Kundër thuhet se janë edhe Sllovakia dhe Rumania, që mund të jetë edhe rezultat i lobimit nga Serbia që të mos hiqen masat. Mosbesimi nga ana e disa vendeve anëtare ndaj Kosovës ishte thelluar sidomos pas paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e urës mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve. Për BE-në ky veprim si dhe mbyllja e zyrave ilegale serbe në veri janë “të njëanshme dhe të pakoordinuara“.