Arbëri

Pak pritje nga takimi i së enjtes mes kryenegociatorëve

Nuk janë shprehur pritje për rezultate në takimin e paralajmëruar për të enjten e ardhshme në Bruksel, ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Njohës të rrethanave politike vlerësojnë se takimi është i kushtëzuar dhe është caktuar nga ndërmjetësi Miroslav Lajçak sa për t’u dukur se po angazhohet në këtë proces, në muajt e fundit të mandatit. Ata thanë se për mungesë rezultatesh, BE-ja duhet të marrë përgjegjësi

Tentimi i radhës mes kryenegociatorësh i planifikuar për të enjten, në kuadër të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për t’i dhënë shtytje zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi nuk do të sjellë rezultate, kanë vlerësuar njohës të procesit të dialogut.

Gazetari Augustin Palokaj i cili ka përcjellë në Bruksel gjithë procesin dialogues, ka thënë se takimi i radhës është më shumë kamuflazh sesa angazhim i sinqertë i ndërmjetësit për të nxjerrë fryte nga takimi.

“Në rrethanat ekzistuese nuk pres ndonjë përparim as në këtë raund të dialogut. Ky takim po zhvillohet edhe për të dëshmuar se kinse procesi po vazhdon, por në të nuk do të ketë asgjë konkrete. Lehtësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, edhe ashtu është në kërkim të vendit të ri të punës dhe ai do të vazhdojë të organizojë takime aty-këtu derisa t’i skadojë mandati, pra deri në fund të muajit janar”, ka thënë Palokaj.

Njësoj, progres nuk pret as njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, i cili vlerëson se takimi është i kushtëzuar e jo i caktuar në bazë të vullnetit të palëve.

“Ky takim është rezultat i presionit që u është bërë palëve në Procesin e Berlinit në takimin e fundit, sa për të thënë, sa për të përfituar ato mjete që duhet t’i marrin me atë planin e ashtuquajtur të rritjes. Pra, është produkt i rrethanave dhe presioneve që zakonisht bëhen ndaj palëve, veçanërisht ndaj Kosovës dhe në këtë atmosferë nuk mendoj assesi që mund të ketë ndonjë efekt të mirëfilltë pozitiv dhe ndonjë rezultat”, ka thënë Baraliu.

Vazhdimisht, por edhe të premten, Kosova e Serbia u akuzuan nga ndërkombëtarët se po pengojnë normalizimin e marrëdhënieve mes vete.

Por, Palokaj thotë se për rezultatet e pakta, përgjegjësi duhet të marrë edhe BE-ja si ndërmjetëse e dialogut.

“Siç duket, bashkësia ndërkombëtare, edhe BE-ja, edhe NATO-ja po pranojnë se dialogu nuk po shkon siç duhet, por preferojnë që fajin t’ia bartin palëve, e jo aq edhe lehtësuesit. Serbia dhe Kosova do të vazhdojnë të përsërisin kërkesat dhe qëndrimet e tyre dhe të akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë dhe vullnetit për të arritur progres”, ka thënë Palokaj.

Një muaj më parë ka dështuar të mbahet takim mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij serb Petar Petkoviq e lehtësuesit Lajçak, meqë sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, Serbia refuzoi të hynte në takim me agjendën e dakorduar paraprakisht dhe ka vendosur kushte.