Në përfundim të mandatit në krye të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Joe Biden mori disa vendime në raport me Ballkanin Perëndimor, sikurse Dialogu Strategjik për avancimin e marrëdhënieve me shtete veç e veç, si dhe zgjeroi sanksionet ndaj atyre që kërcënojnë paqen në rajon. Por njohës politikë thonë se, mbetet pikëpyetje nëse presidenti i ri Donald Trump do t’i vazhdojë këto politika, meqë ai njihet për përdorim të mjeteve jokonvencionale në funksion të arritjes së qëllimeve
Vendimet e presidentit në largim të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden lidhur me Ballkanin Perëndimor, janë parë si vazhdimësi e qasjes për t’i evituar rreziqet që i kanosen rajonit.
Këtë javë vendet e rajonit i vizitoi zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma.
Të premten, në Kosovë ai diskutoi me liderët shtetërorë për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit përmes një Dialogu Strategjik.
Presidentja Vjosa Osmani paralajmëroi finalizimin e marrëveshjes për Dialog Strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara tek e ka cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme. Sipas saj, marrëveshja do të përfshijë fusha me rëndësi si dhe do të forcojë partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Pas Prishtinës, Verma qëndroi në Beograd prej ku tha se me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq po ashtu ka biseduar për vendosjen e një dialogu të tillë në disa fusha.
Sipas tij, ky dialog ofron një format të strukturuar që dy qeveritë të angazhohen në temat si bashkëpunimi ushtarak, energjia, sundimi i ligjit e respektimi i të drejtave themelore.
Ai ka theksuar se dialogu ka të bëjë me thellimin e lidhjeve ekonomike, duke përfshirë edhe marrëveshjen ndërqeveritare për bashkëpunim për energjinë e pastër, e cila është nënshkruar në shtator të vitit 2024.
“Ky dialog dëshmon për rëndësinë që ne i kushtojmë marrëdhënieve tona me Serbinë, të cilat bazohen në respektin reciprok dhe angazhimin e përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. SHBA-ja dhe korporatat e saj kanë investuar mbi 300 milionë dollarë këtu që nga viti 2022. Sigurisht që ndonjëherë partnerët nuk bien dakord për gjithçka dhe ky dialog do të na japë një strukturë dhe një kanal për t’i zgjidhur problemet e tilla”, ka thënë Verma.
E Vuçiqi është shprehur skeptikë se ky dialog do t’ia japë zgjidhje edhe problemit me Kosovën.
“Ne e ngritëm temën e dialogut strategjik. Nuk është diçka që do t’i zgjidhë të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet tona, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kosovën. Por është diçka që hap shumë mundësi për të gjitha qeveritë e ardhshme në Serbi dhe të gjitha administratat e ardhshme në SHBA”, është shprehur Vuçiq.
Veç zyrtarit të lartë që vizitoi Ballkanin Perëndimor, pak ditë para largimit nga Shtëpia e Bardhë, Biden përditësoi Urdhrin Ekzekutiv (UE) mbi sanksionet ndaj atyre që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit. Urdhri u arsyetua me përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ndryshe prej rregullores së mëparshme, masat tani vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave të cilëve u bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri, në përputhje me rregulloren.
Drejtori ekzekutiv i Institutit “Epik”, Demush Shasha, thotë se, që nga fillimi i mandatit të Bidenit qëllimi ka qenë mbrojtja e demokracive nga regjimet autoritare.
“Një nga mjetet për të ndjekur këtë politikë të tij ka qenë vendimi i tij ekzekutiv për sanksionimin e personave fizikë dhe juridikë, të cilët kërcënojnë demokracitë në Ballkanin Perëndimor, të cilët kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe të cilët janë përfshirë në akt të korrupsionit të nivelit të lartë në rajonin tonë. Së fundmi kemi pa masat e presidentit Biden, të administratës së tij, të cilat kanë sanksionuar zotin Dodik në Bosnjë, kanë sanksionuar kriminelët sikur Radoiçiqi, ish-shefin e Agjencisë Inteligjente Serbe dhe tani ministër pa portfolio, Aleksandër Vulin, kurse në Shqipëri ish-kryeministrin Sali Berisha”, ka thënë Shasha. “Ka qenë një politikë konsistente e Administratës Biden që të luftojë akterët malinjë të rajonit tonë përmes këtij lloj vendimi ekzekutiv”.
Por, Shasha ka dyshime për efektin praktik që mund ta kenë vendimet e Bidenit me presidentin e ri të ShBA-së, Donald Trump.
“Pra, është pikëpyetje se sa presidenti Donald Trump do të ndjekë politikat e Presidentit Biden në rajonin tonë. Shumëkush thotë se në fakt do të jenë politikat të tjera, ndjeshëm të ndryshme. Dhe ajo çfarë zoti Trump do të jetë i fokusuar, nuk do të jetë aq shumë në këto vendime burokratike për të arritur qëllimet e tij, por ai do të kërkojë progres të ndjeshëm në rajonin tonë nga akterë të ndryshëm dhe mungesa e progresit nga palët do të adresohet nga Presidenti Trump në një formë krejtësisht tjetër. Pra ai do të përdorë mjete jo konvencionale për të arritur qëllimet e tij”, ka thënë ai.
Për ta kuptuar këtë, Shasha ka përmendur çështjen e Grenlandës si dhe çështjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, që nxitën polemika në botë pas deklaratave të Trumpit, i cili ka shprehur dëshirën që ta bëjë Grenlandën pjesë të SHBA-së. Ai nuk e ka përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për ta detyruar Danimarkën që ta dorëzojë ishullin me rëndësi strategjike dhe të pasur me minerale. Trump, po ashtu ka publikuar një hartë në platformën e tij “Truth Social” që shfaq Kanadanë si pjesë të SHBA-së. Postimi vjen pas deklaratave të tij të vazhdueshme se Kanadaja do të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.
“Pra, presidenti Trump nuk do të përdorë procedurat burokratike në këso lloje negociata, por qasjen që po e shohim pa hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Rrjedhimisht dyshoj se ky vendim i djeshëm i Shtëpisë së Bardhë do të ketë ndonjë efekt praktik gjatë Presidencës Trump, pasi që ajo të zhvillojë metodat e saja për të për ta avancu agjendën e saj në rajonin tone”, ka shtuar ai.
Derisa në SHBA në janar pritet inaugurimi i presidentit Donald Trump, një muaj më vonë Kosova mban zgjedhjet e përgjithshme, pas të cilave do të formohet qeveria e re.
Deri tash Trumpi ka emëruar disa personalitete në pozita të ndryshme, por jo edhe një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka emëruar sekretarin e Shtetit, Marco Rubio si dhe Richard Grenellin përfaqësues për “misione të veçanta”. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së ka nisur në vitin 2011 në Bruksel, ndërsa procesit mbështetje në vazhdimësi i ka dhënë SHBA-ja. Gjatë presidencës së parë të Trumpit ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun, Kosovë-Serbi. Nën ndërmjetësimin e Grenellit më 4 shkurt 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.
Gjatë presidencës së Joe Bidenit, përfshirja e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, u bë vetëm nëpërmjet të dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.