Arbëri

Pak ndryshime në masat anti-COVID, shumica mbesin të njëjta

Pak ndryshime në masat anti-COVID janë propozuar për dy javët e ardhshme. Por lehtësime të masave kryesore s’do të ketë.

Burime të KOHËS tregojnë se orari i lëvizjes, gastronomia, mësimi në shkolla do të vazhdojnë me masat në fuqi, derisa pritet të ketë ndryshime në ceremonitë e varrimit e ato të tjera fetare. Ky ka qenë dakordimi që është arritur në Komitetin anti-COVID.

Një ditë më parë, pas takimit virtual me kryetarët e komunave, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, u shpreh se me gjithë përmirësimin e situatës me pandeminë, lehtësimi i masave do ta rriste rrezikun.

E kërkesa e kryetarëve të komunave ishte heqja e orës policore.

27 shtatori është data kur për herë të fundit kanë hyrë në fuqi masat e ndryshuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Sipas këtyre masave, për të hyrë në hapësirat e mbyllura duhet të jesh i vaksinuar derisa qarkullimi i qytetarëve është i kufizuar nga ora 22:00 e mëngjesit deri në orën 05:00.

Në javët e fundit ka pasur rënie të numrit të rasteve fatale dhe të rasteve të reja me COVID-19. Të enjten u regjistrua dita e parë në gati dy muajt e fundit pa asnjë vdekje për 24 orët. Aktualisht janë 1335 raste aktive.