Përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kanë përfshirë edhe komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Atmosfera në Mitrovicën e Veriut një ditë para votimeve ka qenë e zakonshme. Njohës të zhvillimeve në veri, thonë se mungesa e alternativave konkrete dhe skepticizmi politik mund të sjellin dalje të ulët në këto zgjedhje, të parat pas disa bojkoteve nga komuniteti serb
Përgatitjet për ditën e zgjedhjeve janë bërë edhe në katër komunat e banuara kryesisht me serbë.
Lëvizje të shumta të qytetarëve në një ditë të zakonshme nga Mitrovica e Jugut në drejtim të veriut ka pasur të shtunën, një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kafetë e restorantet përgjatë sheshit “Car Llazar” ishin të mbushura me qytetarë të shumtë.
Disa vetura me pjesëtarë të KFOR-it qëndruan nga pjesa jugore dhe ajo veriore mbi Urën qendrore të Ibrit.
Qytetarët serbë refuzuan të deklarohen për pritjet që kanë nga këto zgjedhje.
Por, në kushte anonimiteti, njëri prej tyre tha se “do të flas nesër tek kutitë e votimit” e një tjetër u shpreh se “nuk ka ndonjë alternativë për të cilën ia vlen të votohet”.
Analisti politik, Branislav Kërstiq, thekson se nuk ka entuziazëm të madh për të votuar në veri, ani pse këto zgjedhje po mbahen pas zgjedhjeve lokale të bojkotuara nga serbët.
“Brenda komunitetit serb, gjashtë subjektet, që garojnë për zgjedhjet e ardhshme, s’kanë kanë dalë para qytetarëve me program, se kanë ofruar asgjë,` as programin politik e as programin ekonomik. Fushata është nëpër rrjetet sociale, ekzistojnë ankesat, akuzat jo në atë dimension qysh është në Prishtinë”, ka thënë Kërstiq.
Ai nuk i përjashton as befasitë në kuptimin e përqindjes së daljes në votime.
“Më duket që brenda komunitetit është një lloj depresioni kolektiv politik dhe jam i sigurt se do të befasohemi të hënën kur do të regjistrohet se jo më shumë se 30 apo 40 për qind e serbëve, kanë votuar krahasim me zgjedhjet e kaluara”, ka shtuar Kërstiq.
Për zgjedhjet e 9 shkurtit garojnë gjashtë subjekte politike serbe. Dhjetë ulëset e garantuar për Kuvendin e Kosovës do t’i synojnë: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë si dhe Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore”.
Shkolla e mesme teknike në Mitrovicën e Veriut do të jetë një nga qendrat ku qytetarët do të mund të votojnë të dielën.
Një punonjës i shkollës tha të shtunën se janë bërë të gjitha përgatitjet ku është dërguar edhe materiali zgjedhor, i cili do të jetë i gatshëm për të dielën.
Për vite me radhë, zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat e tjera me shumicë serbe kanë qenë të karakterizuara nga bojkotet dhe skepticizmi. Thirrjet për të mos votuar kanë bërë në Beograd, i cili, edhe pse zyrtarisht pati mbështetur pjesëmarrjen e serbëve në institucionet kosovare, shpesh ka dërguar mesazhe kontradiktore që kanë ndikuar në refuzimin e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Bojkot thuajse total të serbëve pati për zgjedhjet lokale në komunat veriore, dhe më pas për peticionin e iniciuar për largimin e kryetarëve shqiptarë.
Një ditë para zgjedhjeve, thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje dhanë autoritetet serbe.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok është afro 28 mijë.