Arbëri

Pak deputetë në sallë, kryekuvendari i fton me zile

Pak pas orës 10:00 të së hënës, ka nisur seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës.

Në seancë, pos deklarimeve jashtë rendit të ditës, do të ketë edhe pyetje parlamentare e debat parlamentar, ndërsa është paraparë shqyrtimi i disa projektligjeve.

Në sallën e Kuvendit aktualisht ndodhen pak deputetë, e kryeparlamentari Glauk Konjufca u mundua që përmes ziles t'i ftojë ata që mund të jenë në hollin apo byfenë e Kuvendit.

Për debatin parlamentar rreth politikës së jashtme, të thirrur nga PDK-ja, deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, deklaroi se nuk është e arsyeshme të diskutohet pa prezencën e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, i ka përmendur masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë, duke thënë se duhet përkujtuar përherë.

“E kemi për detyrim që t’i kujtojmë martirët për çka falë tyre, kemi lirinë e drejtësia vazhdon të jetë e munguar”.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, deklaroi se viti i parë i qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti u karakterizua me paaftësia, e sipas saj, nuk është bërë progres në asnjë fushë.

“Nuk kam qellim të përmend listën e dështimeve por duhet të i përmend disa, ka dështuar për zhvillimin ekonomik të vendit, nuk ka pasur vit më të brishtë se ky për investime. Përveç mungesës së vizionit për zhvillim, këtë e kemi parë vonesat në reagim për pandemi e agjendat e ngadalshme për politikat sunduese të ligjit”, tha ajo.

Sipas Hoxhës, një politikë e tillë e jashtme është abstenim për Kosovën si shtet.

“Që nga rritja e energjisë e secilit artikull, Qeveria ka qenë një spektatore e vërtetë, numri i papunëve është rritur, numri i personave që kërkojnë te dalin jashtë vendit është rritur”.

Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë “që të këndellet qëndrimi prej spektatori kur të rinjtë po largohen çdo ditë”.