Arbëri

Pajtimi e paqja në Ballkan – misioni i Marigona Shabiut

“I bëjmë bashkë të rinjtë shqiptarë e serbë, por edhe të komuniteteve të tjera, në mënyrë që me rrit komunikimin, me rrit bashkëpunimin po në të njëjtën kohë me i informu ata se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe pse ajo e kaluar vazhdon me na mbajt peng si gjenerata të reja...”, ka thënë drejtoreshë e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR)

Pasioni për aktivizëm e mbrojtje të të drejtave të njeriut iu shfaq qysh në fëmijëri. Por dëshira dhe vullneti i Marigona Shabiut për t’u angazhuar në projekte dhe aktivitete të ndryshme me qëllim promovimin e barazisë u forcua e u formësua edhe më shumë në shkollë fillore.  

Si një vajzë e re, ajo thotë se në mënyrë vullnetare organizoi aktivitete me qëllim të rritjes së vetëdijes mbi çështje të ndryshme sociale dhe inkurajoi kohanikët e saj të merrnin pjesë në to. 

Në vitin 2014, Marigona themeloi një organizatë joqeveritare në qytetin e saj të lindjes në Gjilan, që kishte për fokus të drejtat e njeriut e fuqizimin e të rinjve. 

“Me grupet e shokëve dhe shoqeve të mia në atë kohë, kemi organizuar aktivitete të ndryshme, d.m.th. në një moshë goxha të hershme kam filluar punën dhe angazhimin tim, dhe kam provuar ta shfrytëzoj zanin tim për me e përmirësu pozitën e klasës, mandej të shkollës, e të rive dhe të rejave të Gjilanit, po mandej kam filluar me u angazhua edhe në nivel të Kosovës përmes Këshillit të Nxënësve, përmes organizatave të ndryshme. Mandej në ndërkohë në 2014 kam bashkëthemeluar edhe një organizatë për të rinjtë në Gjilan dhe kemi punuar në fushën e të drejtave të njeriut, dhe përmes organizatës promovimin e diversitetit kulturor, dialogut ndërkulturor mes komuniteteve të ndryshme”, ka thënë Marigona Shabiu, drejtoreshë e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR). 

Energjia që kishte për respektimin e të drejtave të njeriut bëri që angazhimi dhe rrugëtimi i saj të mos ndalonte e të shkonte përtej aktivizmit në komunitetin shkollor.

Në moshën 14 vjeçare, nga dëshira për të qenë aktiviste ajo iu bashkua një organizate të shoqërisë civile e quajtur Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ku tani është drejtoreshë.

Vlerat si drejtësia, barazia, liria e paqja për të cilat qe e interesuar qysh prej fëmijërisë i gjeti të kultivuara nga aktivistë të mëhershëm, e kjo bëri që ajo të thellohej edhe më shumë në ujërat e aktivizmit. 

Aty gjithçka nisi si aktiviste, por pas një dekade angazhimi iu vu në supe një detyrë e përgjegjësi tjetër, ajo e bë udhëheqjes e një organizate.

“Fiks pas 10 vjetëve jam kthyer në pozitën e drejtores dhe ka qenë kështu një përmbushje e madhe që unë e kam mbërri pas përfundimit të studimeve bachelor e mandej master dhe kam pasur mundësi me ardhë e me kontribu kaq shumë në formësimin tim si person në rend të parë, por edhe si aktiviste për të drejtat e njeriut dhe ky ishte qëllimi ose misioni im jetësor të kontribuoj për të mirën time publike, për të kontribuar për drejtësi sociale, e kam parë që YIHR-i është një organizatë që mund të më mundësojë për përmbushje të këtij misioni tim jetësor dhe për këtë arsye kam dashur t’i bashkohem dhe jam e lumtur që për këta 7 vjet kam mbërri të kontribuoj sadopak në situatën e përmirësimit të të drejtave të njeriut”, ka theksuar ajo.

Ballafaqimi me të kaluarën

Organizata që drejton Shabiu sivjet mbush 20 vjet angazhim në Kosovë. 

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut fillimisht nisi në vitin 2003 nga një grup i të rinjve në Serbi që kishin për synim krijimin e kontakteve, bashkëpunimin e përmirësimin e raporteve me të rijnë në Kosovë. 

Përveç në Kosovë e Serbi, ajo ka shtrirje edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi e Kroaci.

“Fokusohemi shumë në proceset e pajtimit, në proceset e ndërtimit të paqes në Ballkanin Perëndimor, sidomos të vendeve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia për shkak se konsiderojmë që historia jonë e kaluar na lidh në të tashmen, mirëpo sigurisht se do të na lidhë edhe në të ardhmen, për këtë arsye e konsiderojmë që është shumë e rëndësishme me e pas atë perspektivën rajonale edhe me punu edhe në nivel rajonal, me e rrit bashkëpunimin, me i rrit urat e komunikimit dhe me punu bashkë me trajtu të kalumen, atë çfarë ka ndodhur në luftërat e Jugosllavisë, me e rritë solidaritetin në mes të aktivistëve dhe aktivisteve”.

Angazhimi për edukimin e gjeneratave të reja për të drejtat e njeriut vazhdon edhe pas dy dekadave pa dallim gjinie, race apo etnie. 

Shabiu rrëfen për një sërë aktivitetesh që synojnë vetëdijesimin e të rinjve, siç është tema e ballafaqimit me të kaluarën e personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.

“Synojmë që t’i fuqizojmë ata si mbrojtës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, përmes një edukimi që është më ndryshe dhe që zakonisht nuk e marrin nëpër shkolla ose në sistemin formal të edukimit, përveç kësaj jemi shumë të fokusuar edhe në proceset e ndërtimit të paqes, në proceset e ballafaqimit me të kaluarën, ndër vite kemi punuar në krijimin e hapësirave të kujtesës, para disa viteve kemi krijuar një muze virtual që e quajmë ne ashtu, sepse është një arkiv digjital i storieve të personave që kanë qenë refugjatë gjatë luftës, ose që kanë qenë të shpërngulur brenda Kosovës për shkak të luftës në fund të viteve ‘90, jemi duke krijuar aktualisht, pothuajse jemi në prag të hapjes së muzeut të fëmijëve të luftës”, është shprehur Shabiu.  

Luftimi i paragjykimeve tek të rinjtë shqiptarë e serbë

Përmes organizatës që shërben si urë bashkëpunimi mes komunitetit serb dhe atij shqiptar, Shabiu thotë se me anë të programeve të ndryshme bëjnë bashkë të rinj nga dy komunitetet. 

Ajo tregon se kjo marrëdhënie e ndërtuar jo rrallëherë zbehet për shkak të tensioneve politike të herëpashershme, ngarkesës historike e emocionale të bartur tek të rinjtë nga familjarët. 

“I bëjmë bashkë të rinjtë shqiptarë e serbë, por edhe të komuniteteve të tjera në mënyrë që me rrit komunikimin, me rrit bashkëpunimin po në të njëjtën kohë me i informu ata se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe pse ajo e kaluar vazhdon kështu me na mbajt peng si gjenerata të reja dhe qysh na duhet me u vetëdijesu dhe informu për atë periudhë në mënyrë që mos me leju që ato veprime që nxisin dhunë, urrejtje dhe veprime që realisht çojnë në luftë, siç ka qenë rasti i luftës në Kosovë, ne si të rinj me i kundërshtu, me u luftu edhe mos me leju që ato krime të tmerrshme me u përsërit, qoftë ndaj shqiptarëve, qoftë ndaj komuniteteve të tjera”.

Edhe paragjykimet më të rrënjosura shkrihen kur të rinjtë vijnë dhe i bashkohen organizatës. 

“Ka të rinj që p.sh. vijnë me qëndrime nacionaliste, qëndrime homofobike edhe kur vijnë në aktivitetet tona realisht e ndërrojnë perceptimin edhe bëhen shumë më kritikë, shumë më të hapur ndaj pranimit të botëkuptimeve dhe në njëfarë mënyre ju çelen horizontet për atë se çka kanë mendu që është kështu e vërtetë, deri me një pikë ndoshta edhe dogmatike ose absolute, kështu që ne punojmë me mbi 2 mijë të rinj, vitin e kaluar p.sh. kemi pasë diku 3 mijë të rinj që kanë ardhur direkt në aktivitetet tona”, ka deklaruar ajo.

Kontributi i Marigonës në fushën e drejtësisë transicionale, krimeve të luftës dhe ballafaqimit me të kaluarën vlerësohet edhe nga gazetarja Serbeze Haxhiaj.

Pavarësisht moshës së re, sipas saj, Marigona është një bashkëpunëtore e vlefshme dhe përbën një rast unik në çështjen e aktivizmit të shoqërisë civile. 

“Marigona po e bën një punë fuqishëm në përfshirjen e rinisë, në shumë çështje që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën dhe një dimension krejt të ri. Dhe po e përgatit një gjeneratë të re të aktivistëve të shoqërisë civile në përgjithësi për t’u marrë me një pjesë të rëndësishme dhe me një barrë tepër të rëndë që është në supet e shoqërisë sonë. Më vjen shumë mirë që çdo vit e më tepër nën lidershipin e Marigonës, të rinj, shumë të rinj nga Kosova dhe Serbia po përfshihen në projekte të ndryshme që përbën një urë lidhëse jo vetëm në mes të të rinjve të dy komuniteteve, mirëpo po merren me një pjesë, në një dimension tepër të rëndësishëm të kaluarës sonë si shtet dhe si shoqëri”, ka vlerësuar gazetarja Haxhija.

Haxhija thekson se Marigona është një person i vendosur, e guximshme.

Ajo përshkruan disa nga karakteristikat e saj.

“Marigona është tepër kokëfortë, është tepër këmbëngulëse, është tepër e guximshme dhe është shpeshherë para kohës. Ajo akoma pa ardhur afati, koha ecën, d.m.th. gjithçka që e ka përshkruar punën e saj deri më tash ka qenë ecja para kohe në plot gjëra, përfshirë edhe atë në shoqëri civile, edhe në aktivizëm, një pjesë e rëndësishme e aktivizmit dhe humanitetit në Kosovë”.

Si aktiviste e të drejtave të njeriut, Marigona vlerëson se Kosova pavarësisht se e ka mirë të rregulluar dhe të avancuar kornizën ligjore, ajo ngec te çështja e zbatimit.

E shkeljet dhe diskriminimi më i mëdha ndodhin ndaj grupeve të margjinalizuara të shoqërisë, siç janë gratë, komunitetet joshumicë dhe komuniteti LGBTI-plus.

“Aktivizëm nuk është veç me dalë me protestu”

Nisma e të Rinjve të të Drejtave të Njeriut vlerësohet si një ndër partneret kryesore të Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë.

Bashkëpunimi që nisi gati tetë vjet, ishte kyç për mbrojtjen e kauzës LGBTI dhe për ngritjen e zërit me qëllim të avokimit dhe respektimit të të drejtave të tyre.

“Marigonën mundemi me e pa konstant nëpër sheshe të Prishtinës, në kuptimin jo vetëm për të drejtat e personave LGBT, por kur të kemi të bëjmë edhe me të drejtat e grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara, komunitetin rom, ashkali, egjiptian, e kështu me radhë. Prandaj definitivisht Marigona është një aktiviste që iu ka kontribuar shumë kauzave e që definitivisht është lëvizja, ndoshta edhe fryma që ka ba brenda Nismës për të Drejta të Njeriut që kjo momentalisht me qenë njëra ndër organizatat më aktive kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë”, ka theksuar Blert Morian nga Qendra për Barazi dhe Liri (CEL - Center for Equality and Liberty). 

Morina e përshkruan Marigonën si një aktiviste tejet këmbëngulëse në synimet e saj.

“Marigona është ndër personat e parë që sa herë që vëren diçka ose është duke ndodhur diçka që na kontakton, d.m.th. Marigona është shumë këmbëngulëse që definitivisht me qenë prezent në të gjitha aksionet ose intervenimet në lidhje me të drejtat e njeriut... Energjinë që e ka, d.m.th. Marigona defintivisht nuk e ka parimin 9-17, Marigona e ka parimin që sa herë që ka një shkelje dhe identifikohet ajo shkelje me qenë prezentë me të gjithë ekikin realisht”.

Aktivizmi në rrugë dhe mobilizimi shumë i shpejtë i të gjithë ekipit janë emblema e punës së Marigonës dhe Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Ajo kujton mobilizimin dhe reagimin në mënyrë të shpejtë për mobilizimin e shoqërisë kundër një rasti dhunimi që kishte ndodhur pesë vjet më parë, e që ai ishte edhe një prej momenteve që ndikoi në masivizimin e protestave të ardhshme.

Marigona thekson se përveç protestës, për padrejtësi e diskriminim ka edhe forma të tjera të aktivizmit. 

“Aktivizëm nuk është veç me dalë me protestu p.sh., po aktivizëm është edhe nëse në vendin ku punon e sheh që po bahet një padrejtësi qoftë ndaj teje apo kolegëve të tjerë dhe aty me ngre zanin, me provu me shfytëzu mekanizmat brenda asaj organizate apo kompani ku punon që me u siguru që përmes rritjes së kërkesës, përmes ngritjes së zanit me u mundësu që ai mjedis me qenë më i respektueshëm, më i sigurt dhe më i hapur jo veç për ty si individ, por edhe për njerëzit që punojnë e që ky parim mbasandaj me u reflektu edhe në mjedise të tjera ku ne shohim padrejtësi", është shprehur  Marigona Shabiu – drejtoreshë e YIHR-së.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut është një nga organizatat që ka rol kyç për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin demokratik të vendit e sundimin e ligjit, thotë njëra ndër themelueset e saj, Sarah Maliqi, e cila tashmë punon në një organizatë tjetër.

“Marigonën e kam njohur kur ka ardhur në Nisëm, kur  ka filluar punën aty dhe e kom përcjellë tërë kohën, ndërtimin e saj, të organizatës, e çmoj si një prej aktivisteve më të fuqishme, është një grua shumë e fuqishme e cila i di vlerat, parimet e veta dhe lufton për to. Është një grua e cila jo vetëm lufton për të drejtat e njeriut, por mendoj që është një prej grave kryesore në luftën kundër diskriminimit ose luftën për respektimin më të madh të grave, ose barazisë gjinore në përgjithësi. Marigonën zakonisht e sheh në të gjitha protestat në rend të parë edhe kështu kisha thanë si qytetare, si Sare kisha thanë që të jep një motiv, edhe të frymëzon, edhe ty vetë me ba diçka edhe me luftu”, ka thënë Maliqi nga Civil Rights Defenders. 

Maliqi thotë se Marigona ka një vizion të një shoqërie të hapur, demokratike, dhe lufton për atë.

Angazhimi i organizatave të shoqërisë civile do të vazhdojë për të vetëdijesuar shoqërinë për të mposhtur padrejtësitë dhe diskriminimin dhe për të krijuar një shoqëri të barabartë.  

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga “Integra” dhe mbështetet nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë)