Kandidati për Emisar të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Borut Pahor është në përgatitje të një dokumenti për të ardhmen e këtij procesi. Në kabinetin e tij kanë thënë se qasja e ish-presidentit slloven në dialog do të shpaloset pasi të harmonizohet me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, i cili duhet t’ua propozojë vendeve anëtare pasardhësin e Miroslav Lajçakut.
Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka nisur angazhimet në synimin për ta pasuar Emisarin e deritashëm në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në kabinetin e tij kanë konfirmuar se po punohet në planin për vazhdimin e mëtejshëm të dialogut, i cili dy vitet e fundit ka ngecur.
Dokumenti do të shpaloset pasi të harmonizohet me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell.
“Ish-Presidenti Pahor është duke përgatitur një draftdokument për vazhdimin e dialogut, por ai dëshiron që fillimisht ta koordinojë atë me përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Borrell dhe vendet anëtare të BE-së, posaçërisht vendet e QUINT-it”, ka thënë këshilltarja e Pahorit Spela Vovk.
Të dërguarit specialë emërohen nga shtetet anëtare me propozimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme.
Demush Shasha nga Instituti Epik nuk pret ndonjë ndryshim thelbësor në dialog pasi, sipas tij, problemi nuk kanë qenë lehtësuesit.
“Ajo çfarë ka penguar progresin në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka qenë dhe mbetet kalkuluesi apo motivimet e palëve, respektivisht Kosovës e Serbisë për të bërë progres në kuadër të dialogut. Pra të dyja palët kanë konsideruar deri më sot se është më mirë që dialogu të zgjatet sesa të përfundojë dhe kjo veçmas është e vërtetë në rastin e Serbisë. Pra Serbia është ajo e cila ka penguar vazhdimin e progresin në kuadër të dialogut për shkak se Serbia gjykon që është në interesin e saj më të mirë që dialogu të zgjat deri në krijimin e rrethanave më të mira gjeopolitike ku ajo konsideron se do të realizojë më mirë interesat e saja””, ka theksuar Shasha.
Ai ka treguar arsyet se pse nuk mund të ndikojë asnjë përfaqësues në ndryshimin e kësaj qasje.
“Në këtë mund të ndikojnë nivel e më të larta të vendimmarrjes evropiane por të cilat deri më sot nuk e kanë parë çështjen e dialogut Kosovë-Serbi si një nga prioritet kyçe të politikës së tyre të jashtme, në veçanti duke pasur parasysh zhvillimet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Pra thjesht dialogu Kosovë-Serbi nuk vuan nga ajo se kush është emisar special, por vuan nga mungesa e vëmendjes së lartë politike nga kancelaritë perëndimore, për shkak se janë tema të tjera në rendin e ditës”, është shprehur Shasha.
Kosova dhe Serbia u pajtuan vitin e kaluar rreth Marrëveshjes bazë dhe një muaj më vonë për Aneksin e Zbatimit, por që implementimi ka ngecur.
Emisari aktual, Miroslav Lajcak, në disa raste është kritikuar nga zyrtarët e Weverisë së Kosovës se po ia mban anën Serbisë, pas insistimit që Kosova të procedojë me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.