Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët e Prishtinës nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi” për mbeturinat në muajin janar.
Në fund të dhjetorit, Komuna pati bërë të ditur se nga 1 janari pagesa do të inkasohet nga Kompania Rajonale e Mbeturinave, ndërsa tani ka njoftuar për pezullim të rregullores së re.
“Pas pezullimit të plotësim ndryshimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga Ndërmarrja KRM “Pastrimi” nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar t’i paguajnë. Nga tani e tutje, pagesat për këtë shërbim duhet të realizohen përmes Komunës së Prishtinës deri në një vendim të ri”, thuhet në njoftimin e Komunës në Facebook.
E të hënën Komuna e Prishtinës shpalli gjendje të jashtëzakonshme me mbeturinat, në ditën kur i skadoi kontrata operatorit “Alko Impex”, që për një vit i ka grumbulluar mbeturinat e qendrës së qytetit. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar opozitën për “situatën alarmante” me mbeturina, duke thënë se rregullorja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e kanë ndaluar me rregullore operimin e kompanive private. Opozita i ka kundërshtuar akuzat.
Ministria e Mjedisit e pati cilësuar rregulloren e ndryshuar si në harmoni me ligjin për mbeturinat. Megjithatë Komuna e ka dërguar rregulloren edhe në Gjykatën Kushtetuese. E drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Bekim Brestovci, ka thënë se deri në përgjigje, Zyra Ligjore e Komunës ka rekomanduar që të pezullohet menjëherë.
Ndërkohë në ndërmarrjen “Pastrimi” kanë bërë të ditur se po e analizojnë vendimin e Komunës.
E Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e ka cilësuar antiligjor vendimin për pezullim të rregullores.
“Është krejtësisht antiligjore vendimi i organeve drejtuese të komunës së Prishtinës, saktësisht të kryetarit Rama për pezullimin dhe plotësim ndryshimin për mbeturina. Pa dashtë të lëshohem në pezullim, ky stil cowboy i kryetarit Rama dëshmon edhe një herë qasjen e tij që e ka ndaj institucioneve dhe procedurave administrative. Nuk mundet asnjë organ i komunës që të mbivendoset mbi vendimet e kuvendit komunal. KK është organi më i lartë dhe vendimet shqyrtohen nga ministria dhe nuk mundet as Rama e as një institucion tjetër që t’i pezullojë vendimet, përveç gjykatës. Kjo është jo ligjore, zyra ligjore në komunë është e tëra në funksion të Ramës.