Arbëri

Pagën minimale prej 350 eurosh opozita e quan “vendim elektoral”

Me vendim të Qeverisë, paga minimale do të rritet nga 1 tetori në 350 euro. Niveli i ri i pagës minimale do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Sipas zyrtarëve të Qeverisë, nga ky vendim do të preken më shumë se 150 mijë persona, porse për opozitën rritja e pagës mesatare përbën vendim zgjedhor

Qeveria ka marrë vendim në mbledhjen e së mërkurës që paga minimale të rritet prej 130, përkatësisht 170 euro, sa është aktualisht, në 350 euro bruto, duke nisur nga 1 tetori. 

Krahas rritjes, një ndryshim tjetër ka të bëjë me përcaktimin e pagës për orë pune, ashtu siç e përcakton edhe Ligji i Punës. 

Kryeministrit Albin Kurti ka thënë se nga ky vendim do të preken më shumë se 150 mijë persona. 

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale, më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale, pas një pritjeje prej 13 vjetësh. Ndërkaq sot do të shqyrtojmë propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që niveli i ri i pagës minimale të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Kjo është rritja e dytë e pagës minimale brenda këtij mandati qeverisës”, ka theksuar Kurti.  

E pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur për masat që do të ndërmerren në mënyrë që të sigurohet se vendimi do të marrë zbatim. 

“Do të sigurohemi që, si Ministri e Financave bashkë me agjencitë vartëse, siç janë administrata tatimore e Kosovës dhe Inspektorati i Punës, të zbatohet ky vendim përmes kontrolleve rutinore apo edhe në rastet kur kemi sinjalizime se vendimi i ri për pagën minimale nuk po zbatohet. Gjithsesi është një vendim që më në fund adreson problemin e rritjes së pagës minimale që e kishim për më shumë se një dekadë, që ndikon në rritjen e mirëqenies”, ka thënë Murati.  

Rritja e pagës minimale, sipas Muratit, do të hyjë në fuqi nga 1 tetori. Por për këtë vendim ka pasur reagim nga partitë opozitare.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka quajtur “poshtërim” pagën minimale prej 350 eurosh. Ai ka shkruar në Facebook se Qeveria Kurti këtë vendim e ka marrë “në kuadër të një fushate për zgjedhje”, teksa ka shtuar se ajo përherë del me mashtrime në prag të zgjedhjeve.

“Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, e që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro, natyrisht duke shënuar rritje të përvitshme, në bazë të rritjes ekonomike e inflacionit dhe në këtë pagë minimale duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve. Vendet e rajonit, qysh moti e kanë kaluar pragun e pagës minimale prej 500 eurosh, ndërsa ky kryeministër, jo vetëm që është vonuar me rritje pagash për katër vjet, por edhe sot pagën minimale e konsideron ndihmë sociale”, ka shkruar Haradinaj.  

E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azem, e ka vlerësuar si vendim parazgjedhor rritjen e pagës minimale në 350 euro. 

“Ne e çmojmë çdo lëvizje që bëhet qoftë edhe me 10 centë e kemi thënë edhe me herët. Por në moment kur një partner merr vendim pa u konsultuar me partnerin që është i obliguar për ta bërë këtë, ne edhe këtë do t’ia kishim falur sikurse paga minimale të jetë sipas kërkesës sonë që kohën e fundit kemi kërkuar që ajo duhet që të jetë 500 euro”, ka thënë Azemi. “Nën pagën 500 euro, normal që ne nuk do ta pranojmë dhe nuk do të jemi të kënaqur, jo pse ne nuk pranojmë, por kushtet dhe rrethanat nuk po lejojnë që të bëhet një jetë ekzistenciale me këtë pagë. Duke marrë edhe pagat minimale që i kemi në rajon, mendojmë që kemi paga në rajon që janë mbi 600 euro, kemi pagë në rajon që është edhe 400 euro dhe ne kemi thënë që paga optimale duhet që të jetë paga prej 500 euro”. 

Vendimi për pagën minimale është marrë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale, i cili krahas rritjes së pagës minimale e ndryshon edhe shkallën tatimore të pagave. I miratuar në korrik të vitit të kaluar, Ligji u pati kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të AAK-së, për shkak se nuk e parasheh rritjen e pensioneve të veteranëve të luftës së UÇK-së dhe të personave me aftësi të kufizuara përkitazi me pagën minimale. Në qershor Kushtetuesja ka konstatuar se Ligj nuk e shkel aktin më të lartë juridik të shtetit, e të premten e shkuar është publikuar në Gazetën Zyrtare, kur edhe ka hyrë në fuqi.  

Ligji parasheh që në fund të çdo viti Këshilli Ekonomiko-Social t’i propozojë Qeverisë lartësinë e pagës minimale, të cilin e miraton më pas ekzekutivi.