Arbëri

GLPS-ja padit Ministrinë e Financave për jotransparencë gjatë rekrutimit të sekretarit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka paditur Ministrinë e Financave, pasi që ka konstatuar se ky institucion ka bërë shkelje në procesin e përzgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm. Përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se Ministria ka shpërfillur edhe kërkesat e Iniciativës CorrWatch, për ta monitoruar procesin

Ministria e Financave është paditur të martën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për procesin e rekrutimit të sekretarit të Përgjithshëm, pa përfshirjen e shoqërisë civile në monitorim, ndryshe nga siç parashihet me ligj.

Hulumtuesi i GLPS-së, Liridon Salihu, ka thënë se nga Gjykata Themelore në Prishtinë është kërkuar që institucionet publike të obligohen ta lejojnë shoqërinë civile që ta monitorojnë ecurinë e konkurseve të tilla.

“Nga provat që përmban kjo padi konstatohet se Ministria e Financave ka zhvilluar fazat e procedurës së rekrutimit për kategorinë e lartë drejtuese ‘sekretari i përgjithshëm’ në ministrin e Financave, pa respektuar obligimin ligjor që fazat e rekrutimit të monitorohen nga shoqëria civile”, ka theksuar Salihu.
E, Laura Nushi, e cila është koordinatore projekti në INDEP, ka thënë se kërkesat e Iniciativës CorrWatch nuk janë marrë parasysh nga ministria.

“Iniciativa CorrWatch kishte parashtruar kërkesë për monitorim më 13 gusht e 9 shtator 2024. Këto kërkesa ishin injoruar totalisht nga ministria e cila më 11 shtator 2024, kishte publikuar listën e kandidatëve që e kanë kaluar fazën e verifikimit paraprak”, ka thënë ajo.

Procesi i rekrutimit për pozitën e sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Financave është përcjellë edhe me reagim publik nga Iniciativa CorrWatch dhe me ankesë drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.